Shqipëria Postuar më 3 Shkurt 2026, 10:05

Shqipëria drejt blerjes së ambasadës në Londër - Miratohen rregullat për selinë e përhershme diplomatike

Nga SCAN TV

Shqipëria drejt blerjes së ambasadës në Londër -

Shqipëria ka hedhur një hap konkret për të siguruar një seli të përhershme për përfaqësinë e saj diplomatike në Londër. Me një vendim të miratuar më 23 janar 2026, Këshilli i Ministrave ka përcaktuar rregullat dhe procedurat për blerjen e një pasurie të paluajtshme që do të shërbejë si seli e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar. Fondi limit për këtë blerje është vendosur deri në 520 milionë lekë.

Sipas vendimit, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, në bashkëpunim me Ambasadën në Londër, do të realizojë procesin e blerjes, ndërsa identifikimi i pasurive do të bëhet nga kreu i misionit diplomatik. Objektet e propozuara duhet të plotësojnë kritere të rrepta funksionale, juridike dhe sigurie, si dhe të jenë të përshtatshme për aktivitetin diplomatik dhe konsullor, edhe në perspektivë afatgjatë. Për çdo proces vlerësimi, do të paraqiten të paktën tre oferta alternative.

Për të garantuar transparencë dhe kontroll institucional, është parashikuar ngritja e një Komisioni të Posaçëm ndërinstitucional, i kryesuar nga zëvendësministri përgjegjës për punët e jashtme dhe me përfaqësues nga disa institucione kyçe shtetërore. Ky komision do të shqyrtojë ofertat, do të mbikëqyrë negociatat, do të vlerësojë projektkontratën e shitblerjes dhe, në fund, do të shpallë ofertën fituese ose do të vendosë skualifikimin e saj.

Procesi parashikon gjithashtu ngritjen e një sekretariati teknik ad hoc pranë ministrisë, që do të asistojë komisionin dhe do të administrojë dokumentacionin tekniko-ligjor. Pas përzgjedhjes së ofertës fituese, ministri do të autorizojë kreun e misionit për nënshkrimin e kontratës, ndërsa ambasada do të kryejë pagesat përkatëse dhe regjistrimin e pasurisë sipas legjislacionit britanik.

Vendimi shihet si një investim strategjik, që synon të forcojë praninë institucionale të Shqipërisë në një nga kryeqendrat më të rëndësishme diplomatike dhe financiare të botës, duke i dhënë përfaqësimit diplomatik shqiptar një bazë më të qëndrueshme dhe funksionale në Londër.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat