Shqipëria Postuar më 7 Maj 2025, 18:00

BSH nuk ndryshon normën bazë të interesit, Sejko: Rritja me ritme pozitive

Nga Ola Mitre

BSH nuk ndryshon normën bazë të interesit, Sejko: Rritja me ritme

Të dhënat indirekte të vitit 2025 sugjerojnë se ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet me ritme pozitive, ndonëse disi më të ngadalta se ato të vitit 2024”. Në konferencën për shtyp për vendimmarrjen monetare, guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko tha ndër të tjera se ekonomia shqiptare vijon të qëndrojë në një trajektore pozitive zhvillimi, ndërsa inflacioni parashikohet të kthehet në objektivin 3% gjatë gjysmës së parë të vitit 2026.

“Rritja ekonomike ka vijuar të pasqyrojë zgjerimin e konsumit familjar, investimeve të biznesit, dhe të ardhurave të turizmit. Rritja e konsumit dhe e investimeve të sektorit privat pasqyron bilancet e shëndosha të biznesit e të familjeve, besimin e tyre për të ardhmen, si dhe kushtet e favorshme financiare në vend. Nga ana tjetër, pavarësisht disa sinjaleve pozitive, bilanci i shkëmbimit tregtar të mallrave pritet të ketë një kontribut negativ, ndërsa politika fiskale vijon të ruajë trajta konsoliduese. Ky profil kërkese vijon të ushqejë kryesisht zgjerimin e sektorëve të shërbimeve dhe të ndërtimit, ndërkohë që sektori i industrisë dhe ai i bujqësisë kanë një ecuri më të ngadaltë”, - tha Sejko.

Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare është ende i përshtatshëm për të garantuar stabilitetin e çmimeve dhe për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë, duke mbajtur të pandryshuar normën bazë të interesit.

“Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi: të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.75%; të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1.75%; të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3.75%”, - tha Sejko.

Ndryshimi i fundit i normës bazë të interesit u bë në nëntor në vitit që shkoi. 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat