Shqipëria Postuar më 8 Maj 2025, 11:14

Ligji i ri për mbrojtjen e të dhënave/ Dervishi: “Shënon progres të madh, tani sfidë zbatimi i plotë i tij!”

Nga SCAN TV

Ligji i ri për mbrojtjen e të dhënave/ Dervishi:

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale bashkëorganizoi me Dhomën Amerikane të Tregtisë (AmCham) një forum informuese me përfaqësuesit e bizneseve me temë “Përmirësimi i Standardeve për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Shqipëri, Zbatimi i Ligjit të Ri – Sfidat dhe Zgjidhjet për Bizneset".

Në fjalën e mbajtur para anëtarëve të AmCham, Komisioneri Dervishi theksoi se ligji i ri 124/2024, sjell një sërë risish thelbësore në mbrojtjen e të dhënave personale, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë mbi bizneset si kontrollues dhe përpunues, pasi ata duhet të sigurojnë transparencë të plotë për mënyrën sesi i përpunojnë dhe administrojnë këto të dhëna.

“Ligji i ri i siguron mbrojtje më të mirë për subjektet e mbrojtjes së të dhënave dhe gjithashtu përcakton më qartë të drejtat dhe detyrimet e çdo kontrolluesi dhe përpunuesi. Ligji zgjeron të drejtat e individëve mbi të dhënat e tyre, duke përfshirë: Të drejtën për akses dhe përmirësim të të dhënave; të drejtën për të mos iu nënshtruar vendimeve automatike; si edhe të drejtën për t’u harruar, që detyron bizneset dhe platformat online të fshijnë të dhëna që nuk janë më të nevojshme për qëllimin për të cilin janë mbledhur,” theksoi Komisioneri Dervishi.

Ai nënvizoi se bizneset duhet të marrin masa më të forta për të mbrojtur të dhënat personale kundër humbjes, aksesit të paautorizuar ose keqpërdorimit. Gjithashtu ligji kërkon nga bizneset të caktojnë një Nënpunës për Mbrojtjen e të Dhënave (DPO), i cili do të jetë përgjegjës për mbikëqyrjen e përputhshmërisë me ligjin dhe për t’u siguruar që masat e duhura janë zbatuar.

“Përveç detyrimeve ligjore, është thelbësore që të gjithë ne të ndryshojmë qasjen ndaj mbrojtjes së të dhënave personale. Kjo nuk është vetëm një kërkesë ligjore, por një praktikë e domosdoshme për të ndërtuar besimin mes bizneseve dhe qytetarëve. Të dhënat personale janë një aset i çmuar dhe mbrojtja e tyre duhet të jetë një prioritet për çdo organizatë,” nënvizoi më tej në fjalën e tij z. Dervishi.

Komisioneri bëri gjithashtu nje përmbledhje të rrugëtimit të gjatë që ka ndjekur ky ligj, duke theksuar se hartimi dhe finalizimi i tij erdhi si rezultat i kërkesave të Bashkimit Evropian në kuadër të procesit të integrimit, por dhe si ambicje e Shqipërisë për të pasur një ligj të përafruar plotësisht me rregulloret dhe direktivat e BE-së.

Drejtori Ekzekutiv i Amcham, z. Neritan Mullaj u shpreh se “pjesëmarrja kaq e madhe në aktivitet është shenjë e interesit të gjerë të bizneseve për këtë ligj të rëndësishëm. Gjithashtu, ky ligj i krijon akses biznesit për të qenë sa më kompetitiv në kuadrin ndërkombëtar dhe evropian. Në anën tjetër, është një ligj kompleks, ndaj bashkëpunimi dhe dialogu me Zyrën e Komisionerit është me rëndësi. Ne duhet të ndërgjegjësohemi, pasi ky do të jetë një ligj i vlefshëm për bizneset tona.”

Drejtorja e Kabinetit të Komisionerit znj. Besa Velaj, njeherësh eksperte e hartimit të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, si edhe e setit të udhëzimeve në zbatim të këtij ligji, prezantoi metodologjinë për përllogaritjen e masës së sanksioneve administrative si dhe diskutoi mbi sfidat e bizneseve në përputhje me kërkesat e Rregullores së Përgjithshme të Bashkimit Evropian (GDPR).

Albana Karapanço, Kryetare e Komitetit Ligjor, Rregullator dhe i të Drejtave të Pronësisë Intelektuale të AmCham shprehu kënaqësinë që metodologjia e sanksioneve administrative u prezantua për herë të parë në këtë aktivitet si një mundësi për rritjen e ndërgjegjësimit dhe sqarimin përmes shembujve konkretë sesi do të funksionojnë mjetet rregullatorë në zbatim të ligjit.

Përfaqësuesit e bizneseve shprehën opinionet dhe rekomandimet e tyre në lidhje me zbatimin e paketës së re ligjore, si edhe ndanë mendime për një bashkëpunim në vazhdimësi me Zyrën e Komisionerit me qëllim zbatimin sa më të plotë të ligjit dhe akteve nënligjore. Zyra e Komisionerit do të mbajë një komunikim të hapur me bizneset dhe do të zhvillojë trajnime në vazhdimësi, si edhe tryeza të tjera diskutimi, me qëllim rritjen e kapaciteteve, si edhe implementimin e plotë të ligjit të ri për mbrojtjen e të dhënave personale.

Ligji i ri për mbrojtjen e të dhënave/ Dervishi:

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat