Shqipëria Postuar më 3 Dhjetor 2025, 09:59

Kush përfiton nga kompensimi i TVSH-së më 10%? - Procedurat që duhet të ndjekin fermerët dhe produktet që mbulon skema

Nga Elisabeta Dosku

Kush përfiton nga kompensimi i TVSH-së më 10%? - Procedurat

Nga 1 janari 2026, hyn në fuqi norma e kompensimit në 10% për fermerët, si pjesë  paketës fiskale.

Reforma synon të lehtësojë kostot e prodhimit duke kompensuar fermerët për një pjesë të TVSH-së së paguar për farëra, fidanë, plehra kimike, pesticide dhe inpute të tjera prodhimi. Kompensimi do të paguhet drejtpërdrejt nga administrata tatimore, duke shmangur problemet e vjetra me pagesat nga blerësit.

Kompensimi llogaritet mbi vlerën totale të produkteve bujqësore të shitura, jo mbi inputet e blera drejtpërdrejt. Pra, është një normë fikse që mbulon pjesërisht TVSH-në e inputeve.

ALTAX ka bërë një sqarim se si funksionon skema.  Për shembull, nëse një fermer shet produkte bujqësore (p.sh., perime) me vlerë 100,000 lekë tek një blerës i regjistruar, kompensimi është 10,000 lekë (10% e vlerës së shitjes). Ky kompensim mbulon pjesërisht TVSH-në 10% që fermeri ka paguar për inpute si pesticide apo fidanë.

Por kur merret ky kompensim?

Por për të përfituar, shitjet duhet të bëhen vetëm te blerës të regjistruar si: grumbullues i produkteve bujqësore,  përpunues i produkteve bujqësore (psh fabrika qumështi ose përpunimi të frutave), ose subjekte agroturizmi të certifikuara.

Fermerët duhet të kërkojnë faturë të fiskalizuar nga blerësi me niptin e tyre, e cila duhet të përmbajë vlerën e furnizimit pa TVSH shtesë. Më pas dorëzojnë kërkesë për kompensim dy herë në vit (deri më 31 dhjetor për janar–qershor dhe deri më 30 qershor për korrik–dhjetor).

Administrata tatimore verifikon dhe paguan brenda 30 ditësh masën e kompensimit.  Kompensimi llogaritet për një periudhë 6 mujore duke grumbulluar të gjitha shitjet.

Kjo masë pritet të ndikojë pozitivisht në formalizimin e sektorit dhe të sigurojë rreth 1.5 miliardë lekë mbështetje financiare çdo vit. Sfida kryesore lidhen me kufizimin e blerësve të kualifikuar dhe përshtatjen e fermerëve me procedurën e re. Kjo skemë u vjen në ndihmë fermerëve që nuk janë të regjistruar për TVSH-në, pra që nuk ngarkojnë TVSH në shitje dhe nuk e zbresin atë në blerje.

Kjo skemë siguron gjithashtu dokumentacion të saktë tatimor që lufton informalitetin. Aktualisht ka rreth 659 blerës të tillë të regjistruar sipas të dhënave të tatimeve dhe kjo masë synon të rrisë numrin e tyre duke rritur regjistrimin.

Shembull

Fermeri shet 100.000 lekë produkte tek grumbulluesi

Norma e kompensimit 10%

Vlera në para’ 10.000 lekë

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat