Shqipëria Postuar më 15 Mars 2026, 10:27

“Vendimi i Kuvendit për Belinda Ballukun është i mbyllur” - Rama: Hetimet mund të vazhdojnë

Nga SCAN TV

“Vendimi i Kuvendit për Belinda Ballukun është i
Kryeministri Edi Rama komentoi vendimin e Kuvendi i Shqipërisë për të mos autorizuar kërkesën e SPAK për heqjen e lirisë së deputetes Belinda Balluku, duke e cilësuar çështjen tashmë të mbyllur në planin parlamentar. Sipas Ramës, Kuvendi e shqyrtoi kërkesën me përgjegjësi dhe vendosi të mos e miratojë atë, pasi u vlerësua se nuk kishte arsye të mjaftueshme për kufizimin e lirisë së një deputeti.

“Kuvendi i Shqipërisë i dha fund një diskutimi, debati, polemike, përplasjeje të gjatë lidhur me kërkesën për të autorizuar heqjen e lirisë së një deputeti. Dhe çështja e deputetes Belinda Balluku, sipas meje, sipas nesh, është një çështje e mbyllur. Kuvendi u shpreh pasi trajtoi me shumë përgjegjësi dhe me kujdesin më të madh të gjithë çka iu vu në dispozicion dhe nuk e autorizoi kërkesën me vlerësimin se kërkesa është në vazhdën e një kuturisjeje, e cila nuk mund të vazhdojë pafundësisht, ku njerëzit trajtohen si të ishin mjete në dispozicion të luftës kundër korrupsionit, edhe kur nuk bëhet fjalë për korrupsion, edhe kur nuk bëhet fjalë për përvetësime për interesa personale, edhe kur nuk bëhet fjalë për ndonjë arsye që mund të pengojë zhvillimin e hetimeve dhe merren edhe futen brenda, duke praktikisht e kthyer Shqipërinë në delen e zezë të Këshillit të Europës, të të gjitha vendeve të Këshillit të Euopës, jo të Bashkimit Europian, si vendin me më shumë të paraburgosur, pra të kyçur brenda pa gjyq, sesa të burgosur, pra të gjykuar dhe të dënuar. 58% e popullatës që ne e kemi sot në sistemin e burgjeve të Republikës së Shqipërisë nuk janë gjykuar, por janë në burg dhe jetojnë me taksat e shqiptarëve, në vend se të jetojnë me punën e tyre jashtë burgut dhe të ndiqen në gjendje të lirë.”, u shpreh kryeministri Rama.

Sipas Ramës, një deputet, si çdo qytetar tjetër, është i barabartë përpara ligjit dhe mund të hetohet nëse ka arsye për hetim, por kufizimi i lirisë duhet të mbështetet në prova dhe kushte konkrete.

“Deputeti është i barabartë përpara ligjit, kjo nuk diskutohet. Si çdo shtetas tjetër mund dhe duhet të hetohet nëse ka arsye për hetim, por liria e deputetit si e çdo shtetësi tjetër, nuk mund të kufizohet thjesht dhe vetëm me fjalë të përgjithshme apo me teorinë që prokurori dhe gjykatësi janë të pavarur dhe ata bëjnë çfarë të duan. Ata nuk mund të bëjnë çfarë të duan kur trokasin në derën e Kuvendit dhe Kuvendi nuk mund të bëjë sikur nuk shikon, sikur nuk dëgjon, sikur nuk mendon dhe të refuzojë të kryejë rolin e tij, duke praktikisht mbrojtur dinjitetin e tij, dinjitetin e parlamentarëve të Republikës së Shqipërisë që nuk mund të trajtohen si fajtorë pa qenë të shpallur të tillë nga gjykata dhe nuk mund të kufizohen në lirinë e tyre pa pasur asnjë kusht që të çon në këtë drejtim.”, shtoi ndër të tjera Rama.

Ndërsa deklaroi se vendimi i Kuvendit nuk e pengon vijimin e hetimeve nga prokuroria. “Dhe Kodi i Procedurës Penale është shumë i qartë: Mosdhënia e autorizimit për arrest nuk e pengon prokurorinë të vijojë hetimin apo të kërkojë masa tjera. Pra, hetimi vazhdon dhe drejtësia nuk pengohet. Nga ana tjetër, deputetja nuk ushtron më asnjë funksion ekzekutiv. E gjithë kërkesa ishte aty, kur ajo e ushtronte funksionin ekzekutiv dhe pavarësisht se ajo nuk është më në detyrë, prokuroria vazhdoi të kërkojë të njëjtën gjë, duke harruar se faktikisht nuk kishte asgjë të re që kishte ndodhur, përveç faktit që deputetja ishte thjesht një deputete dhe që nuk ka më asnjë kapacitet të ndikojë në asgjë për sa i përket hetimeve. Kështu që, e përsëris, arresti si masa më e rëndë e sigurimit do të jetë mjeti i fundit, nuk mund të jetë mjeti i parë.”, u shpreh kryeministri.

Gjithashtu reagoi edhe ndaj kritikave se ky vendim mund të ndikojë në procesin e integrimit europian të vendit, duke siguruar se rruga e Shqipërisë drejt Bashkimi Evropian nuk do të bllokohet për këtë çështje.

“Dhe dua të shtoj këtu, se të gjithë ata që vunë kujën për integrimin dhe për anëtarësimin në Bashkimin Europian, që na qenkej kaq afër, kini parasysh, janë po ata të cilët deri në këtë moment predikonin ditë,natë se integrimi dhe anëtarësimi ishin shumë larg. Se integrimi dhe anëtarësimi ishte “një ëndërr që unë e shisja për shqiptarët por që s'e besoja as vetë”, se “ne kurrë nuk do anëtarësoheshim në Bashkimin Europian” dhe papritur në të gjitha tenxheret u ngritën përpjetë kapakët sepse ëndrra u prish në çastin e fundit.”, u shpreh Rama.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat