Shqipëria Postuar më 15 Mars 2026, 10:37

“Vendimi për TikTok i panevojshëm” - Rama: Procesi tashmë i zgjidhur

Nga Diamila Leka

“Vendimi për TikTok i panevojshëm” - Rama: Procesi
Kryeministri Edi Rama reagoi pas vendimit të Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë lidhur me çështjen e TikTok-ut, duke e cilësuar atë si një vendim të panevojshëm, pasi sipas tij, situata mes qeverisë dhe kompanisë ishte tashmë e zgjidhur përmes dialogut. Rama tha se pas bllokimit të përkohshëm të platformës, të ndërmarrë më herët për arsye të lidhura me mbrojtjen e fëmijëve dhe me kërkesat e prindërve e mësuesve, qeveria hyri në një dialog konstruktiv me kompaninë, e cila mori përsipër zbatimin e masave të reja për përdoruesit në Shqipëri. Sipas tij, vendimi i gjykatës arriti në përfundimin se qeveria nuk provoi se bllokimi ishte mjeti i vetëm efektiv, por Rama theksoi se vendimet e gjykatave duhet të zbatohen, edhe pse mund të komentohen në kuadër të debatit publik.

“Këtë javë, Gjykata Kushtetuese mori dhe vendimin për çështjen e TikTok-ut, në ndërkohë që në fakt nuk kishte më çështje pasi si rezultat i bllokimit të TikTok-ut disa kohë më parë për arsyet që janë bërë publike dhe sipas kërkesës së 95% të prindërve dhe të mësuesve, ne hymë në një dialog konstruktiv me kompaninë dhe kompania mori përsipër dhe filloi implementimin e një sërë masash të reja në ofrimin e këtij shërbimi për audiencën shqiptare. Megjithatë Gjykata ka vazhduar në inercinë e vet dhe në fund ka dalë në konkluzionin se qeveria nuk provoi se bllokimi ishte mjeti i vetëm efektiv. Tani vendimet e gjykatave natyrisht janë për t'u zbatuar, por unë nuk mendoj se vendimet e gjykatave janë në të gjitha rastet edhe për të mos u komentuar sepse them se është mirë edhe për trupën e prokurorit dhe të gjykatësve të Shqipërisë, që të përballen me opinionin e kritikës gjithmonë konstruktive për të përmirësuar dhe ata punën e tyre, pasi të trajtuarit e tyre si “lule mos më prek” edhe pasi kanë përfunduar proceset, nuk ndihmon në përmirësimin e cilësisë së drejtësisë.”, u shpreh Rama.

Kryeministri shtoi se si rezultat i bllokimit dhe dialogut me platformën, janë vendosur filtra algoritmikë, mekanizma verifikimi të moshës dhe masa që lidhen me gjuhën e dhunës dhe përmbajtjen në gjuhën shqipe, duke theksuar se këto ndryshime nuk ishin më parë pjesë e praktikave të kompanisë për tregun shqiptar.

“Dhe faktikisht, ne kemi sot në zotërim, falë atij bllokimi filtra algoritmik apo të verifikimit të moshës, kemi një sërë masash që lidhen me gjuhën e dhunës, me vetë gjuhën shqipe që s'ishte fare në radarin e TikTok-ut deri në atë kohë dhe kemi realisht një bashkëpunim konstruktiv me platformën, kështu që ndalimi i përkohshëm solli pikërisht të gjitha këto rezultate. Një kompani shumë miliardëshe erdhi në tryezë bisedimesh me një shtet të vogël, i cili në të gjithë vlerën e vet është nën vlerën e kompanisë dhe nuk është i vetmi shtet. Këto kompani janë më të mëdha se shumë shtete të marra së bashku për nga kapitali, vlera e kapitalit që ato kanë në zotërim.”, shtoi Rama.

Ai shtoi se masa të ngjashme po diskutohen edhe në vende të tjera, duke theksuar se çështjet që lidhen me algoritmet dhe ndikimin e platformave dixhitale tek të miturit janë bërë pjesë e debatit ndërkombëtar.

“Dhe këtu hyn Gjykata Kushtetuese, si kofini pas të vjelit dhe nuk merr parasysh detyrimin kushtetues që Kushtetuta e Shqipërisë e përcakton qartë se fëmijët kanë drejtën e një mbrojtje të veçantë nga shteti dhe se duhet të mbrohen nga çdo praktikë që mund të dëmtojë shëndetin dhe zhvillimin e tyre dhe nuk merr parasysh as faktin që bllokimi i TikTok-ut nga ana jonë, jo vetëm që nuk u kundërshtua apo nuk u vu në dyshim nga institucionet ndërkombëtare, duke filluar nga Bashkimi Europian, por përkundrazi u komentua pozitivisht në një sërë platformash mediatike të shumë e shumë shteteve në Europë dhe përtej saj, në një periudhë kur shumë vende po përpiqen të marrin masa të tilla dhe kur faktet tregojnë se algoritmet e këtyre platformave mund të prodhojnë efekte të dëmshme tek fëmijët, nga ankthi, deri tek sjelljet vetëlënduese apo tek shfaqjet brutale të dhunës që mund të çojë largqoftë deri në humbjen apo marrjen e jetës së tjetrit, atëherë mosveprimi i shtetit nuk është neutralitet dhe në këtë kontekst, e ashtuquajtura liri e fjalës, me të cilën abuzohet kaq shumë, nuk ka absolutisht as edhe një lidhje.”, përfundoi Rama.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat