Shqipëria Postuar më 22 Maj 2025, 11:55

Dekarbonizimi i sektorit të energjisë - Komuniteti i Energjisë: Miratimi dhe zbatimi i legjislacionit, i përmbushur në masën 66%

Nga Ola Mitre

Dekarbonizimi i sektorit të energjisë - Komuniteti i Energjisë:

Miratimi dhe zbatimi i legjislacionit të nevojshëm për dekarbonizimin e sektorit të energjisë nga Shqipëria është përmbushur në masën 66%. Raporti i fundit i Komuniteti të Energjisë jep të dhëna mbi ecurinë e disa treguesve, sipas angazhimeve të ndërmarra nga vendi ynë. Kështu, sa i takon Planit Kombëtar për Energjinë dhe Klimën, angazhimi është përmbushur në masën 62%, pasi dokumenti u miratua në dhjetor 2021, ndërkohë që puna për përditësimin e planit vazhdoi në vitin 2024, por nuk është finalizuar. “Shqipëria duhet të përfundojë pa vonesë procesin e përditësimit”, -vlerëson raporti.

Sa i takon targeteve të vendosur për reduktimin e gazeve serrë, përmbushja rezulton në masën 80%. Sipas raportit Shqipëria nuk ka përcaktuar një objektiv klimatik për vitin 2030 në legjislacionin kombëtar, por ai është përfshirë në strategjinë kombëtare. Ndaj, vendi duhet të marrë në konsideratë ndryshimin e ligjit “Për ndryshimet klimatike”, për ta përafruar me objektivin e vitit 2030 të vendosur nga Komuniteti i Energjisë.

Ndërkaq, në drejtim të sistemeve kombëtare të raportimit klimatik përmbushja raportohet në masën 92%, pasi ekziston një bazë ligjore për një sistem kombëtar të inventarit të gazeve serrë. Megjithatë, Shqipëria duhet të zbatojë më tej një sistem kombëtar për vlerësimin e emetimeve të këtyre gazeve, që përfshin mbledhjen e të dhënave të emetimeve për të gjitha kategoritë e Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike, vendosjen dhe zbatimin e masave të kontrollit të cilësisë, si dhe vlerësimet e pasigurisë në nivel kombëtar.

Ndërkaq, për politikat dhe masat kombëtare për gazet me efekt serrë përmbushja raportohet në masën 71%. “Detyrimet e raportimit janë transpozuar në legjislacion. Raportimi është finalizuar për politikat dhe masat, si dhe për të ardhurat nga mekanizmat e çmimit të karbonit. Megjithatë, raporti mbi strategjitë e përshtatjes ende duhet të dorëzohet në sistemin Reportnet”, - thuhet në dokument.

Më dobët, vendi ynë paraqitet në drejtim të strategjisë afatgjatë dhe neutralitetit klimatik, që vlerësohet i përmbushur në masën 25%. “Është miratuar baza ligjore për një strategji afatgjatë. Megjithatë, Shqipëria nuk ka miratuar ende një strategji afatgjatë me objektivin e neutralitetit klimatik për vitin 2050. Mbetet e paqartë nëse dhe si do të arrihet një objektiv i tillë”, - thuhet në raportin e Komuniteti të Energjisë.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat