Shqipëria Postuar më 22 Maj 2025, 11:22

Rreth 6.78 mld lekë për shpëtimin e bankave nga falimentimi - BSH: Në prill u shtua kontributi në Fondin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme

Nga Ledina Elezi

Rreth 6.78 mld lekë për shpëtimin e bankave nga falimentimi -

Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, që përdoret për shpëtimin e bankave në rast falimentimi, apo krizash financiare, ka arritur në 6.78 miliardë lekë. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në prill 2025, Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme u shtua me 1.04 miliardë lekë nga arkëtimi i kontributit vjetor të bankave. 

Bankat kanë derdhur në këtë Fond rreth 982.1 milionë lekë në 2024, duke e çuar totalin e paguar në fund të 2024 në shumën 5.2 miliardë lekë.

Banka e Shqipërisë përllogarit çdo vit kontributin vjetor që sektori bankar do të paguajë për arritjen e nivelit të synuar të Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme. Për të përmbushur nivelin e synuar të fondit, kontributet paguhen në përpjesëtim me vitet që mbeten deri në 2027. Që prej 2018, kontributi që paguajnë bankat ka ardhur duke u rritur nga viti në vit, ndërsa synohet që deri në 2027, Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme të arrijë në 8.5 miliardë lekë.

Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme është krijuar në vitin 2018 dhe administrohet nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave. Paratë që derdhin bankat çdo vit në Fond, investohen nga kjo Agjenci në tituj të Qeverisë Shqiptare dhe depozita një javore e llogari rrjedhëse pranë Bankës së Shqipërisë. Vlera nominale e investuar është 5.67 miliardë lekë, ndërsa të ardhurat e Fondit nga interesat e fituar prej investimit të shumës së Fondit ishin 219,6 milionë lekë në 2024.

Gjatë vitit të kaluar, investimet ishin në masën më të madhe në lekë, ndërsa ato në monedhë të huaj përbëjnë një përqindje të vogël.

Ky fond mund të përdoret nga Banka e Shqipërisë për disa qëllime, të tilla si: garantimi i aktiveve ose pasiveve të bankës në ndërhyrje të jashtëzakonshme, bankës urë apo shoqërisë për administrimin e aktiveve, kompensimi i humbjeve të pambuluara që lindin për shkak të përjashtimit të detyrimeve të pranuara të kreditorëve të bankës në ndërhyrje të jashtëzakonshme etj.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat