Shqipëria Postuar më 16 Maj 2026, 12:50

Cili qark ka më shumë biznesmene? Tirana dhe Vlora shënojnë nivelet më të larta, Kukësi renditet i fundit

Nga Eldiona Serani

Cili qark ka më shumë biznesmene? Tirana dhe Vlora shënojnë

Roli i grave në sipërmarrjen shqiptare po bëhet gjithnjë e më i dukshëm. Të dhënat  nga Instat tregojnë se 31.4% e ndërmarrjeve aktive në Shqipëri kanë pronare ose administratore gra, ndërsa 68.6% drejtohen nga burra. Edhe pse diferenca mbetet e ndjeshme, shifrat tregojnë se gratë po forcojnë gradualisht praninë e tyre në ekonomi dhe në drejtimin e bizneseve në vend.

Tirana vazhdon të mbetet qarku me përfaqësimin më të lartë të grave në sipërmarrje. Në kryeqytet, 33.6% e ndërmarrjeve aktive administrohen ose zotërohen nga gra, duke reflektuar zhvillimin ekonomik, numrin më të lartë të bizneseve dhe mundësitë më të mëdha për përfshirjen e grave në treg.

Pas Tiranës renditet Vlora me 32%, ndërsa Lezha regjistron 30.9%. Edhe qarqe si Gjirokastra dhe Korça shënojnë nivele mbi 30%, duke treguar një rritje të rolit të grave në administrimin e aktiviteteve ekonomike, sidomos në sektorët e shërbimeve, turizmit dhe tregtisë.

Ndërkohë, Kukësi mbetet qarku me nivelin më të ulët të përfaqësimit të grave në biznes. Vetëm 20% e ndërmarrjeve aktive në këtë qark drejtohen nga gra, çka tregon se hendeku gjinor në sipërmarrje vijon të jetë i fortë në disa zona të vendit. Edhe Dibra mbetet nën mesataren kombëtare, me 25.3%.

Në qarqe të tjera si Durrësi, Elbasani, Fieri dhe Shkodra, pjesëmarrja e grave në biznes varion nga 28% deri në 29%, duke reflektuar një prani më të konsoliduar, por ende jo të barabartë me burrat.

Kjo rritje e pjesëmarrjes së grave në biznes mund të lidhet me zgjerimin e sektorit të shërbimeve, rritjen e numrit të bizneseve të vogla dhe familjare, si dhe me aksesin më të madh në teknologji dhe forma të reja të punësimit. Po ashtu, vitet e fundit është vënë re një tendencë më e fortë e grave drejt sipërmarrjes në fusha si marketingu, turizmi, estetika, arsimi privat dhe tregtia online.

 

Ndrysho madhesinë
Aa
Modaliteti i errët

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat