Shqipëria Postuar më 16 Maj 2026, 12:35

“Duhen më shumë masa për sigurinë rrugore” - Raporti i Komunitetit të Transportit: Progres i ngadaltë drejt uljes së viktimave

Nga Ola Mitre

“Duhen më shumë masa për sigurinë rrugore” -

Rritja e numrit të viktimave në aksidentet rrugore gjatë vitit 2025 ka rikthyer në vëmendje sfidat e sigurisë rrugore në vend dhe në rajon. Një raport paraprak i Komunitetit të Transportit, që analizon të dhënat për Ballkanin Perëndimor, Moldavinë dhe Gjeorgjinë, tregon se Shqipëria regjistroi 200 viktima në aksidente rrugore gjatë vitit 2025, nga 175 një vit më parë, ose rreth 14.3% më shumë.

Sipas raportit, Shqipëria rezulton me 85 viktima për një milion banorë, nivel dukshëm më i lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian prej 43 viktimash për një milion banorë.

Megjithatë, krahasuar me vitin 2019, vendi paraqet një ulje prej rreth 11.9% të fataliteteve rrugore, çka tregon se në afat më të gjatë ka pasur një përmirësim gradual, edhe pse jo të qëndrueshëm.

Raporti vlerëson se në të gjithë Ballkanin Perëndimor progresi drejt objektivit për përgjysmimin e viktimave rrugore deri në vitin 2030 mbetet i ngadaltë. Në nivel rajonal, numri i viktimave arriti në 1,287 gjatë vitit 2025, niveli më i lartë që prej vitit 2019.

Komuniteti i Transportit thekson se vendet e rajonit kanë bërë hapa në përafrimin me politikat evropiane të sigurisë rrugore, përfshirë përmirësimin e infrastrukturës, forcimin e masave të kontrollit dhe fushatat ndërgjegjësuese. Sipas raportit, rreth 55% e masave të planit rajonal për sigurinë rrugore janë zbatuar deri tani.

Në dokument evidentohet gjithashtu nevoja për përmirësim të mbledhjes së të dhënave, rritje të kontrollit në rrugë dhe forcim të institucioneve të sigurisë rrugore. Një tjetër fokus mbetet përdorimi i rripit të sigurimit dhe mbrojtja e fëmijëve në automjete, ku raporti evidenton ende mangësi në sjelljen e përdoruesve të rrugës.

Ndrysho madhesinë
Aa
Modaliteti i errët

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat