Shqipëria Postuar më 13 Janar 2025, 14:50

Cilat janë kostot e emigrantëve që duan të votojnë? - Deri në mesditën e së hënës janë mbi 8,700 regjistrime

Nga Diamila Leka

Cilat janë kostot e emigrantëve që duan të votojnë? -

Procesi i regjistrimit të emigrantëve shqiptarë të cilët dëshirojnë të votojnë në  zgjedhjet parlamentare të 11 majit ka nisur. Vota e emigrantëve do të numërohet në qarkun ku ata kanë pasur vendbanimin e fundit, por si do të kryhet procesi i aplikimit?

Për të filluar regjistrimin, emigrantët do duhet të krijojnë llogari në platformën PER, e cila nuk ka kosto, duke përdorur një numër telefoni ose një adresë emaili, si dhe duke plotësuar të dhënat personale, datën e lindjes, vendlindjen dhe numrin personal.

Për regjistrimin, votuesit duhet të bëjnë verifikimin e pamjes së fytyrës përmes kamerës, të paraqesin numrin e telefonit dhe të dhënat e kartës së identitetit. Ndërkohë, KQZ pranon dokumente të ndryshme si prova të adresës së votuesit, përfshirë edhe faturat e shërbimeve të ndryshme si uji, gazi, energjia elektrike dhe dokumentet bankare.

Por votuesit nga jashtë mund t’u refuzohet kërkesa për t’u regjistruar pasi nuk kanë plotësuar kriteret, kryetari i KQZ thekson se nuk do të ketë penalizime pasi ata mund të riaplikojnë deri më 4 mars.

Ilirjan Celibashi Kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve:

“Deri në 4 mars ata mund të riaplikojnë sa herë të duan. Nëse kërkesa u refuzohet për çfarë do lloj arsye, mund ta riparaqesë kërkesën sa herë të dëshirojë deri më 4 mars."

Por cilat janë kostot e votës së emigrantëve?

Ndërkohë, 5 milionë euro janë hequr mënjanë nga qeveria, në mënyrë që KQZ të paguajë postën për votën e emigrantëve, ndërsa sipas Celibashit priten ndryshime në Kodin Zgjedhor që votuesi të mos ketë kosto në këtë proces.

Ilirjan Celibashi Kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve:

“Ka nevojë për ndërhyrje dhe ndryshime në Kodin Zgjedhor. Psh, kostoja e pagesës për shërbimin postar, çështja e afateve të regjistrimit të subjekteve zgjedhore edhe pse për këtë nuk është se kemi gjykim final.

Shpresojmë që të kemi një kuptueshmëri të njëjtë nëse do duhet të bëjmë ndryshime, ka edhe të tjera që lidhen me administrimin e votimit nga jashtë, numërimin e fletëve të votimit. Mund të shikohet mundësia e ndërhyrjes në Kod për t’iu përgjigjur më mirë interesit të ligjshëm të çdo kahu politik për këtë proces sepse është e rëndësishme që ky proces të gëzojë besimin e të gjitha palëve”

Ndërkohë që prej 11 janarit, kanë nisur zyrtarisht regjistrimet e emigrantëve. Por pas tre ditësh, referuar të dhënave të Komisionit të Qëndror të Zgjedhjeve deri në orët e mesditës së të hënës, numri i aplikimeve ka arritur në afërsisht 8773, ndërsa janë miratuar 1130 kërkesa. Në po të njëjat të dhëna të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, numër të lartë të aplikuesve janë kryesisht grupmoshat 26-35 vjeç dhe 36-45 vjeç.



 

 

 

 

 

 

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat