Rajoni Postuar më 21 Shkurt 2026, 13:12

Serbi, përgjysmohen IHD-të në 2025 - Ndikuan tensionet gjeopolitike globale dhe protestat e brendshme

Nga Lidion Kulla

Serbi, përgjysmohen IHD-të në 2025 - Ndikuan tensionet

Gjatë vitit të kaluar, Investimet e Huaja Direkte në Serbi janë përgjysmuar, në rreth 2.2 miliardë euro, njoftoi banka qendrore. Sipas të dhënave, në këtë performancë të dobët ndikuan tensionet gjeopolitike ndërkombëtare, por edhe protestat e brendshme.

Investimet e huaja direkte (IHD) neto në Serbi ranë me 51% në vitin 2025 në rreth 2.2 miliardë euro, referuar të dhënave të bankës qendrore. Fluksi total i IHD-ve ra me 34% në rreth 3.4 miliardë euro, ndërsa dalja totale e IHD-ve u rrit me 91% në 1.2 miliardë euro, tha banka qendrore.

Pjesa më e madhe e investimeve për 9-mujorin e vitit 2025 u regjistrua në industrinë prodhuese me 24.5%, e ndjekur nga ndërtimi me 17.5%, aktivitetet profesionale, shkencore, inovative dhe teknike me 17%) dhe tregtia me shumicë dhe pakicë me 14.9%. Investitorët ishin kryesisht nga Bashkimi Europian, duke përbërë 67.6% të investimeve totale, dhe vendet aziatike me 8.4%.

Më herët, Guvernatorja e Bankës Qendrore të Serbisë, Jorgovanka Tabakovic, tha se fluksi më i ulët i investimeve të huaja direkte u pa edhe në vende të tjera të rajonit, mes rritjes së pasigurisë globale, të nxitur nga shtrëngimi i politikave tregtare dhe tensioneve të larta gjeopolitike. Fluksi më i ulët në Serbi pasqyroi gjithashtu tensionet sociale dhe politike në vend, tha Tabakovic, gjatë prezantimi të një raporti 3-mujor mbi ecurinë e inflacionit.

Kjo situatë tregon se Serbia po përballet me sfida të mëdha si të brendshme ashtu edhe të jashtme, në tërheqjen e investimeve të huaja, që janë jetike për rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Analistët paralajmërojnë se stabiliteti politik dhe masat për të rritur besimin e investitorëve do të jenë vendimtarë për rikthimin e flukseve të Investimeve të Huaja Direkte në nivelet e vitit 2024, që regjistruan një rekord prej 4.6 miliardë euro.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat