Lajme Postuar më 18 Nëntor 2025, 16:11

Kryeministri Edi Rama në Forumin e Zgjerimit në Bruksel: Ne vazhdojmë punën!

Nga SCAN TV
     
Kryeministri Edi Rama në Forumin e Zgjerimit në Bruksel: Ne
 

Komisioni Evropian po Forumin e Zgjerimit të BE, kushtuar prioritetit të tij 2024–2029.

Kryeministri Edi Rama i cili ndodhet në Bruksel adresoi fjalën e tij në këtë forum, ku vuri theksin te zgjerimi dhe avancimi i Shqipërisë në përmbushjen e detyrave.

“Duhet të rrëfej që duke ardhur këtu sot, e kapa veten duke menduar se çfarë mund të them tjetër për zgjerimin, kam folur aq shpesh për të, sa kam frikë se mund të botoj edhe një libër. Zgjerimi dhe e ardhmja janë të pandashme. Ajo që nuk na vrau, na bëri më të fortë. Ne i bëjmë këto për veten tonë, brezin tonë dhe të ardhmen e Shqipërisë. Ne vazhdojmë punën a thua se negociatat janë hapur prej kohësh. Qëndrojmë drejt, me kokën lart pasi për vetëm 14 muaj kemi hapur të gjithë kapitujt dhe e kemi vendosur veten në krye të bllokut të Ballkanit Perëndimor", tha Rama. 

 

 

Fjalimi i Kryeministrit Edi Rama, në emër të Shqipërisë, në Forumin e Zgjerimit të BE-së

Komisioni Evropian zhvilloi sot Forumin e Zgjerimit të BE, ngjarjen e parë të këtij lloji, kushtuar prioritetit të tij 2024–2029. Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhej në Bruksel në vijim të agjendës për çeljen e grupkapitullit të  fundit të negociatave, iu adresua Forumit me një fjalë në emër të Shqipërisë.

Forumi i Zgjerimit të BE-së është nisma kryesore e Komisionit Evropian që synon ta ngrejë më lart diskutimin mbi zgjerimin e BE-së si një projekt të përbashkët politik, shoqëror, brezash dhe që bën bashkë një gamë të gjerë dhe të larmishme pjesëmarrësish nën moton “Plotësimi i Unionit, Sigurimi i së Ardhmes Sonë”.

Forumi i Zgjerimit është pika e takimit për të gjithë profesionistët që punojnë mbi një nga prioritetet kryesore të mandatit 2024–2029 të Komisionit Europian, të cilët janë të angazhuar në mënyrë aktive në agjendën më ambicioze të zgjerimit të më shumë se një dekade.

 

* * *

 

Kryeministri Edi Rama: Të dashur miq të Europës!

I dashur Gert Jan dhe nëpërmjet jush edhe e dashur Marta!

Faleminderit për ftesën, faleminderit edhe që më vendosët serish në këtë fushë betejë të njohur idesh për të ardhmen e Europës, këtë të ardhme që ne kemi përpara me të gjitha nuancat e saj të grisë e gjithsesi edhe me dritën e premtimit të saj jashtëzakonisht të qëndrueshëm.

Më keni ftuar të flas për zgjerimin, por duhet të rrëfej që duke ardhur këtu sot e kapa veten duke menduar, çfarë tjetër mund të them unë për zgjerimin? Pra çfarë mund të them më tepër për të? Kam folur aq shpesh për të saqë ndonjëherë kam frikë se mund të botoj një libër vetëm me ilustrime që tregojnë evolucionin e flokëve të mi ndër vite dhe titulli fare mirë mund të jetë “anatomia e plotë e një zgjerimi që ende nuk ka ndodhur”.

Dhe e dini çfarë? As nuk do të heq dorë nga zgjerimi, as nuk do më mbarojnë ndonjëherë fjalët për të. Sepse zgjerimi është thjeshtë një tjetër fjalë për të thënë. E ardhmja e Europës, është pikërisht kjo lidhje e pandashme mes zgjerimit dhe të ardhmes që më bën të flas, jo thjeshtw si kryeministri i Shqipërisë, as si thjeshtë përfaqësues i një vendi negociues, por si qytetar europian i një kontinenti, historia e të cilit është një tapiceri e endur me luftë dhe paqe, shkatërrim dhe rilindje, rivalitet dhe pajtim.

E më lejoni ta them krejt qartë, në vend që të përdor fjalën “zgjerim” që ka lindur në Bruksel dhe është rënduar teknikisht, unë preferoj të përdor një fjalë tjetër, nga e cila dhe e cila vjen nga zemra e historisë sonë dhe nga logjika e së ardhmes sonë të përbashkët dhe kjo është fjala “ribashkim”. Sepse në të vërtetë ky është koncepti, e vërteta e thjeshtë, një domosdoshmëri historike dhe e vetmja rrugë për një kontinent që duhet të rigjejë vetëbesimin, të mbrojë paqen, të ruajë prosperitetin dhe të mbajë peshën e vet në një botë që lëviz shpejt, fort dhe pa mëshirë.

Tani dëshiroj të them pak fjalë për Martën, për këtë zonjë, e cila për më pak se dy javë do të ketë mbushur vitin e saj të parë si Komisionerja jonë për zgjerimin dhe në fakt ky fillim i Martës duket sikur ndodhi vetëm dje dhe jo sikur koha fluturon - sepse më besoni që sa më shumë plakemi, aq më shpejtë fluturon koha - apo jo Federica? - por për faktin sepse këto muaj Marta na i ka mbushur me lëvizje, me rezultat dhe duhet ta them dhe me një entuziazëm, i cili deri vonë besoja se Brukseli e kishte humbur, varrosur dhe që nuk do të kishte shans që të rigjendej.

Dje ama, Shqipëria hapi 5 kapitujt e fundit të negociatave, 28 prej tyre nën drejtimin e Martës. Që të jem i sinqertë, jo vetëm që nuk më kujtohet, por nuk mund ta imagjinoj se kur ka qenë hera e fundit që zgjerimi ka prodhuar kaq shumë debat konstruktiv, kaq shumë presion pozitiv dhe kaq shumë oksigjen të pastër politik.

Më lejoni që kësaj salle t’i sjell diçka në vëmendje. Për Shqipërinë, ky rrugëtim i yni nuk ka qenë një rrugë e drejtë e mbushur me duartrokitje. Ne vijmë nga një rrugë e gjatë. Fillimisht të stigmatizuar dhe të nënvlerësuar për shkak të një imazhi ndërkombëtar të formësuar, jo vetëm nga veprimet tona të gabuara por edhe nga stereotipat e amplifikuara të mediave perëndimore. Më pas të vlerësuar nga Komisioni Europian për përpjekjet tona të shumuat, të sinqerta, por të refuzuar nga Këshilli për shkak të debateve të brendshme politike në disa shtete anëtare. Pra patëm tre momente poshtërimi që testuan durimin tonë, besimin tonë te Europa dhe vullnetin tonë për të vazhduar punë  tonë. Dhe nuk do i harroj kurrë sepse i kam të gdhendura në kujtesën time fytyrat e zbehura të anëtarëve të Këshillit Europian pas mbledhjeve të gjata, takimeve këtu në Bruksel tek shpreheshin përpara kamerave: BE nuk i mbajti premtimet e saj ndaj Shqipërisë. Por siç ka thënë dhe Niçja “ajo që nuk ka vrau, na bëri më të fortë”. Dhe ja që poshtërimi u shfaq porsi një bekim që ishte thjeshtë i fshehur dhe ne vazhduam përpara me një bindje të vetme dhe të palëkundur. Që ne nuk i bëjmë këto gjera për Berlinin, Parisin apo Hagën por për veten tonë, për vendin tonë dhe për brezat e ardhshëm të Shqipërisë.

 

BE është burimi ynë i hapur i njohurive, ne mësojmë më shpejtë, përmirësohemi vazhdimisht dhe vazhdojmë punën a thua se negociatat janë hapur prej kohësh duke u përgatitur që të jemi plotësisht gati kur të vijë momenti i duhur.

 

Dhe ja ku jemi tashmë. Qëndrojmë drejtë, me kokën lartë pasi vetëm për 14 muaj kemi hapur të gjithë kapitujt. Kemi rikuperuar një sasi të jashtëzakonshme kohe të humbur dhe e kemi vendosur veten në krye te bllokut të Ballkanit Perëndimor.

 

Më lejoni të theksoj që ky sukses mahnitës nuk është vetëm i yni.

 

Gjatë viteve të fundit nën drejtimit e presidentes Von Der Leyen Komisioni u rikthye ne qendër të lojës he gjatë këtyre 12 muajve dhe falënderoj Martën, në sajë të saj dhe të ekipit të saj u dirigjua një orkestër e ndërlikuar duke akorduar instrumente që për vite të tëra kishin qenë të pa akorduara duke krijuar një harmonikë aty ku kishte pasur vetëm kakofoni dhe duke rikthyer besimin e çmuar mes BE dhe atyre vendeve që dëshirojnë të bëhen pjesë e saj dhe nga ana tjetër janë shtete anëtare me një energji të rinovuar për projektin e madh të ribashkimit nën dritën goditëse, por kthjelltësuese të agresionit rus në Ukrainë. Ju jam sinqerisht mirënjohës ndaj të gjithëve dhe siç ka shkruar dikur një britanik i mprehtë në mendim “unë do të mbroja idenë se falënderimi është forma më e lartë e të menduarit dhe se mirënjohja është lumturia e dyfishuar nga mrekullia”.

 

Të dashur miq, në barometrin e fundit europian mbi qëndrimet ndaj zgjerimit të BE, Shqipëria doli në krye të asaj liste me 92% të qytetareve të saj besnikë të BE-së dhe 91% mbështetës të anëtarësimit, por më lejoni që të sqaroj një gjë këtu dhe të sigurohemi që ju as të mos guxoni të mendoni se ai 8% apo 9% i mbetur nuk janë besnik ndaj BE apo mos e dhëntë  Zoti ku janë kundër anëtarësimit. Jo! Ata thjesht ndodhi që u pyetën nga anketa menjëherë pas ndonjë grindjeje me bashkëshortin apo me bashkëshorten ose do kenë qenë në mes të trafikut torturues të Tiranës ose ndoshta thjeshtë pak minuta para ndeshjes për kualifikimin të botërorit ndaj Serbisë. Ndaj nëse heqim këta faktorë të jetës së përditshme, shqiptarët janë 100% besnik ndaj BE-së dhe 100% mbështetës dhe përkrahës të anëtarësimit. Nuk bëjmë shaka këtu.

 

Tani më lejoni t’ju them se çfarë nuk shkon me ne. Duke u nisur me një kujtesë për diçka që shumë brenda Bashkimit Europian të lindur nën një paqe të kadifenjtë, të rritur mbi jastëkët e rritjes të përhershme ekonomike dhe te mësuar në një zonë komoditeti ku dhe volumi i gërhitjes rregullohet që të mos shqetësohet macja që fle pranë shtratit tuaj, e kanë harruar gradualisht. Te kujtojmë sesi dhe pse lindi Europa. Ajo lindi kur kontinenti ynë u copëtua në dysh, një perde e hekurt jo prej metali por prej ideologjie frike,  ndau kombe, familje, fate dhe prapa saj “bisha e gjëmueshme e totalitarizmit” dëgjohej çdo ditë duke kujtuar të gjithë në perëndim se kërcënimi ndaj lirisë, demokracisë dhe paqes ishte real, ishte afër dhe kërkonte përpjekje krijuese në përpjesëtim me rreziqet që e kërcënojnë atë siç thuhet në atë fjali që gjejmë në deklaratën e Schuman më 9 maj 1950. Faktikisht dhe me dhimbje nuk tingëllon jashtëzakonisht aktuale?  E po ne shqiptarëve nuk na duheshin klithmat e Vladimir Putin në portat e BE-së për të ndjerë rreziqe që na kërcënoheshin. Ne, por edhe vetë Bashkimi Evropian përmes Ballkanit Perëndimor. As nuk na duhej shumë mund për të kujtuar errësirën e gjatë të totalitarizmit nga e cila u hodhëm në rrugët e Tiranës me shpejtësi duke bërtitur, “e duam Shqipërinë si gjithë Europa”.

 

Për ne BE-ja është ende sot ajo që ajo qenë për etërit themelues, është kaq e thjeshtë. Një ide e çmendur ndoshta në atë kohë, një ide revolucionare, që armiqtë të lashtë të bëheshin partnerë, që sovraniteti të bëhej një dhe të ndahej për të mirën e përbashkët, që paqja të ndërtohej jo mbi dominim, por mbi bashkëpunim dhe solidaritet në të njëjtin qiell të lirisë dhe dritën e demokracisë dhe pavarësisht dyshimeve, e pengesave ideja ia doli mbanë dhe projekti u shndërrua në Bashkimin Europian, modeli më vizionar i integrimit paqësor në historinë e njerëzimit.

 

Jo shumë kohë më parë, - nuk e di çfarë është në këtë faqe, që dhe qenka kaq e turpshme që të dalë, - 6 dekada e gjysmë më vonë, kjo vazhdon të jetë e vërtetë, mbetet e vërtetë. Askush nuk ka ndërtuar asgjë të ngjashme dhe askush nuk do të ndërtojë diçka të ngjashme, prandaj më mirë të jesh pjesë e saj. Kjo është ajo që mendojnë, duan dhe do të bëjnë shqiptarët, çfarëdo që të duhet për ta arritur, sepse ne kemi mësuar me vështirësi se paqja është e vetmja betejë që ia vlen të zhvillohet dhe se rruga e etërve themelues është e vetmja rrugë që ia vlen të ndiqet.

Pra, jo shumë kohë më parë, fjala zgjerim ishte thuajse e ndaluar në fjalorin e BE-së dhe për mua ajo mbante erën e tradhtisë ndaj vetë arsyes për të cilën u vu në lëvizje Bashkimi Europian, sepse për mua zgjerimi përmban përgjigjen më të fuqishme ndaj kësaj pyetje. Çfarë është Bashkimi Europian? - Për çfarë qëndron ai?

Dhe le t'i rendis këtu 5 të vërteta të thjeshta;

Ribashkimi shëron plagët historike, ribashkon ose rikthen lidhjet e kombeve të ndara me forcë, rikthen identitetin europian të atyre që u mbajtën jashtë me dhunë, jo me zgjedhje, Franca dhe Gjermania dikur na mësuan të gjithëve ne se si armiqtë mund ta rindërtojnë besimin dhe zgjerimi vazhdon me të njëjtën trashëgimi, ndërprerja e saj do të ishte tradhti ndaj vetë BE-së.

Së dyti, ribashkimi zgjeron zonën e paqes. Në fakt, qëllimi themelor i BE-së është paqja, çdo zgjerim ka zgjeruar, jo vetëm gjeografinë e Bashkimit Europian, por në fakt, gjeografinë e stabilitetit të demokracisë dhe sundimit të ligjit dhe është e qartë se Europa do të jetë më e lirë, më e sigurt, atë ditë që BE-ja nuk do të ketë më vetëm dy kufi, kufirin e jashtëm dhe kufirin e brendshëm që rrethon dhe ndan vendet e Ballkanit Perëndimor nga pjesa tjetër.

Së treti, ribashkimi përmbush një premtim të vjetër për ata që luftuan për liri, që pranuan demokracinë me kurajë, Europa ishte fener, feneri i vërtetë dhe ky ishte mesazhi i Selanikut në vitin 2003. Pra, thjesht imagjinoni për pak çaste, për një çast të vetëm, shtetet baltike dhe Poloninë sot jashtë Bashkimit Europian apo jashtë NATO-s, por ky premtim i vjetër duhet mbajtur plotësisht dhe mos mbajtja e tij, duke na mbajtur ne vendet e Ballkanit Perëndimor jashtë BE-së, do të thotë që jo vetëm luan me zjarrin, por që tashmë po digjet ky zjarr në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Europian dhe në atë zjarr të djegësh edhe vetë autoritetin etik të BE-së.

Së katërti, ribashkimi çliron prosperitet, sjell prosperitet, po zgjerimi nuk është vetëm politik, është edhe ekonomik. Anëtarët e ri zgjerojnë tregun, sjellin dinamizëm, novacion, energji rinore dhe Ballkani Perëndimor, për të mos thënë Shqipëria dhe Mali i Zi, si fillim, nuk janë barrë aspak, përkundrazi, ne sjellim burime, pozicion, popullsi, energji, pasuri, asete për të ardhmen e Bashkimit Europian dhe në fund, por jo më pak nga rëndësia, sjellim një buzëqeshje të madhe në fytyrën shumë shpesh të zymtë të Bashkimit Europian, jo keq, aspak keq. Imagjinoni pak një Bashkim Europian që buzëqesh çdo mëngjes, çdo ditë në mëngjes.

 

Së pesti, zgjerimi funksionon sa herë BE-ja ka ftuar anëtarë të rinj në klubin e saj, përfitimet kanë tejkaluar frikën. Çdo herë ka ndodhur kjo, shifrat e tregojnë qartë, faktet e ilustrojnë këtë gjë dhe nuk ka as edhe një arsye të vetme që të besojmë që gjërat do të jenë ndryshe tashmë, përkundrazi, sa më shpejt të ndodhë, aq më mirë do të jenë për BE-në.

Dhe më lejoni të vazhdoj, duke prerë litarin dhe duke shtuar,  Po na duhet përgjigja. Ne nga ana jonë për të gjithë ata që thonë:  Nuk funksionon me 27, e si do të funksionojë me 29? Si mund të funksionojë me 33 apo 35, me të gjitha vetot që ata kanë, me të gjithë komisionerët e tyre që do të sjellin? Po e vërtetë, po ta shohim nga ky kënd nuk mundet të funksionojë, por ne mund ta bëjmë të funksionojë, nëse e vëmë BE-në të parën. Në radhë të parë dhe lëmë mënjanë egot tona kombëtare, pa veto, pa komisioner për ne, as veto, as komisioner. Pra, si ju duket? E realizueshme është kështu që, le të flasim për këtë gjë, ta diskutojmë.

Të dashur miq planeti ynë rrotullohet në një drejtim, por jo bota. Bota është e ethëzuar, e trazuar, e paparashikueshme gjithnjë e më shumë. Të mendosh se gjërat do t'i kthehen ndonjëherë normalitetit të vjetër është një iluzion i rrezikshëm. Të vepruarit mbi bazën e këtij iluzioni është edhe më e rrezikshme dhe thjeshtë rrit dhimbjen e zgjimit të pashmangshëm. Demokracia është në tërheqje, demagogjia po ecën përpara në marshim, të drejtat e njeriut janë nën sulm, sistemi ynë po vihet në provë, si nga jashtë ashtu edhe nga brenda, po grumbullohen re dhe stuhi gjeopolitike, jo vetëm që Europa e ndarë është më e dobët, më e cënueshme ndaj presionit, manipulimit dhe ndikimeve të liga, por duket më tepër si një pre e dëshiruar për agresorët dhe spekulatorët, sesa një konkurrent i fortë në lojën e re të fuqive të mëdha. Ribashkimi përmes zgjerimit është përgjigja më strategjike e Europës, është thelbi i autonomisë strategjike europiane.

Europa e Bashkuar është Europë që formëson fatin e saj, jo ajo që endet në stuhinë e dikujt tjetër. Ata që i kundërvihen zgjerimit flasin shpesh për kosto, por harrojnë faturën e moszgjerimit. Më lejoni të përmend tashmë disa përbërës të listës së gjatë, ndjenja e pafuqisë, stagnim ekonomik, depërtim gjeopolitik nga aktorë me fytyra miqësore, po që nuk ndahen vlerat europiane, një Europë me vrimë në zemër, një Europë me cënueshmëri të përhershme në periferi, një Europë që tradhton idenë e vetë themelimit të vetë, një Europë që nuk është e përshtatshme të mbijetojë si lojtar i madh në këtë lojë të re. Ribashkimi nuk është favor që anëtarët e vjetër u bëjnë të rinjve, është një fat i përbashkët, është një barrë e përbashkët, një barrë të cilën e ndajmë tani, sot dhe nesër, në një botë ku BE-së i duhen të tjerët, po aq sa të tjerëve u duhet BE-ja, në mos më shumë.

Atëherë, të vijmë tani drejt fundit.

Ndonjëherë duhet t’i përgjigjem ndonjë pyetje jo fort të lehtë, për shembull; pse duhet të ketë interes BE që ta ketë Shqipërinë në tryezën e saj të rrumbullakët? Unë besoj që përgjigjja është më e lehtë se sa vetë pyetja- i uroj mirëseardhjen delegacionit rus- pra, e përsëris këtë sepse një person i rëndësishëm sapo zuri vend dhe po thoja “David ndonjëherë më duhet të jap përgjigje një pyetje që s’është fort e lehtë, që çfarë interesi dhe pse duhet të ketë interes BE që Shqipëria të jetë në tryezën e saj të rrumbullakët? Dhe mua më duket qe përgjigjja është më e lehtë se sa vetë pyetja; Shqipëria sjell në tryezë shpirtin e madh të dikurshëm të Europës dhe i shton kurorës së saj edhe një gur tjetër të vogël të çmuar, jo vetëm pa asnjë kosto domethënëse, por me përfitimin e një shembulli që do t’i shërbejë BE-së si në periudhën afatshkurtër ashtu edhe në atë afatgjatë. Shqipëria është gati, jemi tërësisht të përkushtuar, e kemi treguar këtë gjë ,kemi treguar rezultate me reformat; nuk do të ndalemi për asnjë çast, ne po investojmë tek e ardhmja jonë me mendësinë e një vendi që tashmë ndihet i përgjegjshëm ndaj Bashkimit Europian ditë më ditë, ndjen përgjegjësi ndaj BE dhe nuk iu kërkojmë asgjë tjetër, përveç mundësisë për t’i shërbyer Evropës që Evropa t’i shërbejë paqes siç ka thënë edhe Jean Monet për rastin tonë dhe vërtetë për të arritur tek fundi, sepse e dini si shkon puna me burrat ballkanas që kur marrin fjalën, thonë që do ta mbyllin, por nuk e mbyllin, por do ta mbyll vërtetë fjalën time, duke i lejuar vetes një kënaqësi të vogël, ndoshta që të jap një këshillë Martës; unë besoj që ndërsa Marta po shkruan historinë me ne, duhet të sigurohet që edhe historia të shkruajë për të, në faqet e saj dhe kjo është arsyeja përse, kur t’i mbarojë mandati asaj, jo thjesht duhet të botojë një libër me titull ‘’Antologjia e plotë e një zgjerimi të bërë nga unë’’ dhe i jap fjalën Martës me të gjithë ‘’lagjen’’ ballkanike që janë dëshmitarë këtu, që do të përmbahem me fisnikëri nga pretendimet e së drejtës së autorit për kapitullin e Shqipërisë.

 

Faleminderit për durimin, që është shumë frymëzues për mua, sepse më thonë që shumica prej jush vini nga e njëjta ‘’lagje’’ dhe që të kemi një brez të ri që është kaq i duruar, tregon që ‘’tortura’’ e Bashkimit Evropian po funksionon dhe në të njëjtën kohë vërteton që ne jemi gati që të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian pa sjellë dhembje koke nga Ballkani, por duke i ndihmuar ata që t'i bëjnë ballë procesit të ballkanizimit, që në fakt po ndodh në shumë prej vendeve të tyre.

 

Faleminderit!

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat