Europa Postuar më 18 Nëntor 2025, 12:15

BE, 27% e PBB-së për mirëqenien sociale - Cilat vende evropiane shpenzojnë më shumë në këtë sektor?

Nga Kristi Ceta

BE, 27% e PBB-së për mirëqenien sociale - Cilat vende evropiane

Të gjitha vendet e Bashkimit Evropian rritën shpenzimet për mirëqenien sociale në vitin 2024, me një zgjerim prej gati 7%, duke e çuar buxhetin total në pothuajse 5 miliardë euro.

Në krahasim me PBB-në e tyre, shpenzimet mesatare për përfitimet sociale arritën rreth 27% në të gjithë bllokun, por normat ndryshojnë nga vendi në vend.

Sipas të dhënave të Eurostat, Finlanda, Franca dhe Austria janë anëtarët më “bujarë” të BE-së, secila duke shpenzuar rreth 32% të PBB-së për përfitime sociale.

Nga ana tjetër, Irlanda renditet e fundit me vetëm 12%, më pak se shtete që nuk janë pjesë e bllokut, si Bosnja e Hercegovina (20%) dhe Serbia (18%). Ekspertët shpjegojnë arsyet pas kësaj, duke përfshirë demografinë e vendit. Shoqëria irlandeze është ende relativisht e re krahasuar me ekonomitë e tjera, ndaj shpenzimet për pensionet, kujdesin afatgjatë dhe kujdesin shëndetësor janë më të ulëta. Megjithatë, Irlanda nuk është shpenzuesi më i vogël për të gjitha përfitimet sociale: renditet e dyta në BE për kostot e strehimit social, proporcionalisht me PBB-në.

Në përgjithësi, pjesa më e madhe e buxhetit social të BE-së shkon për pensionet, me një vlerë prej 2 trilionë eurosh. Shpenzimet për sëmundje dhe kujdes shëndetësor renditen të dytat me gati 1.5 trilionë euro, të ndjekura nga masat për familjet dhe fëmijët me 0.4 trilionë euro dhe mbështetja për personat me aftësi të kufizuara (0.3 trilionë euro).

Për sa u përket pensioneve, tre shtetet që kryesojnë renditjen janë Austria (14.7%), Italia (14.6%) dhe Finlanda (14.5%). Kur bëhet fjalë për shëndetësinë, Gjermania investon më shumë (9.9%), e ndjekur nga Franca dhe Holanda (9.5%).

Finlanda zë po ashtu vendin e parë për mbështetjen ndaj strehimit (0.99% e PBB-së), mbi Irlandën dhe Gjermaninë. Në një sondazh të Eurobarometer, mungesa e strehimit të përballueshëm u shfaq si problemi më “urgjent” në BE, i nënvizuar nga 40% e të anketuarve.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat