Shqipëria Postuar më 11 Qershor 2026, 11:43

Hoxha në Bullgari: Zgjerimi i BE-së është investim strategjik, Shqipëria synon anëtarësimin në vitin 2030”

Nga Edel Strazimiri

Hoxha në Bullgari: Zgjerimi i BE-së është investim

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, gjatë një vizite në Bullgari, mori pjesë në një panel diskutimi të organizuar nga European Council on Foreign Relations (ECFR), ku u trajtua perspektiva e zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor.

Gjatë diskutimit, ministri Hoxha theksoi rëndësinë që ka marrë procesi i zgjerimit të BE-së në kushtet e një mjedisi gjeopolitik gjithnjë e më kompleks, duke nënvizuar se integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor është tashmë një domosdoshmëri strategjike për vetë Bashkimin Evropian.

“Në kontekstin e sotëm strategjik, zgjerimi nuk shihet më vetëm si një politikë transformimi. Ai është shndërruar në një investim strategjik për sigurinë, stabilitetin, konkurrueshmërinë dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të BE-së”, u shpreh Hoxha.

Sipas tij, zhvillimet e viteve të fundit kanë dëshmuar se një Evropë më e fortë dhe më e bashkuar nuk mund të realizohet plotësisht pa integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Ministri vuri në dukje se procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE nuk është thjesht një objektiv i politikës së jashtme, por një aspiratë kombëtare që gëzon mbështetje të gjerë politike dhe shoqërore. Ai theksoi se rrugëtimi evropian i vendit pasqyron transformimin e institucioneve dhe zgjedhjen strategjike të shqiptarëve për të ardhmen.

Hoxha nënvizoi gjithashtu se një proces zgjerimi i besueshëm dhe i bazuar në meritë është në interes të përbashkët si për vendet kandidate, ashtu edhe për Bashkimin Evropian. “Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar për të ruajtur ritmin aktual, për të përshpejtuar reformat dhe për të avancuar me vendosmëri në procesin e negociatave”, deklaroi ministri.

Ai ritheksoi objektivin e qeverisë shqiptare për përmbylljen e negociatave të anëtarësimit deri në vitin 2027 dhe anëtarësimin e plotë të vendit në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030. Në përfundim të fjalës së tij, ministri Hoxha shprehu mirënjohjen ndaj ECFR-së dhe pjesëmarrësve për shkëmbimin e ideve dhe diskutimin mbi të ardhmen evropiane të rajonit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat