Europa Postuar më 13 Dhjetor 2024, 11:50

Britania “shkurton” administratën shtetërore - Planifikon reduktimin e mbi 10,000 vendeve të punës në shërbimin civil

Nga Kristi Ceta

Britania “shkurton” administratën shtetërore - Planifikon

Ministrat e Britanisë së Madhe po planifikojnë të shkurtojnë më shumë se 10,000 vende pune në shërbimin civil, në një përpjekje për të rritur efikasitetin e qeverisë.

Burime të shumta thane për The Guardian se shërbimi civil ishte bërë shumë i madh dhe i pafuqishëm pasi u zgjerua për shkak të kërkesave të Brexit dhe pandemisë së Covid-19.

Kancelarja Rachel Reeves, kishte urdhëruar departamentet të realizonin reduktime 5% në buxhetet e tyre si pjesë e një rishikimi të shpenzimeve, ndaj burimet e brendshme kanë theksuar se shkurtimet e vendeve të punës do të ishin të pashmangshme.

Një burim i Zyrës së Kabinetit tha se departamentet do të duhej të bënin disa "zgjedhje shumë të vështira" në lidhje me numrin e punonjësve, nëse donin të qëndronin brenda buxheteve të përcaktuara nga Thesari.

Për momentin, janë 513,000 nëpunës civilë me kohë të plotë në qeverinë qendrore, një numër dukshëm më i lartë nga 380,000 që ishin në 2016.

Gjatë verës, qeveria e re laburiste braktisi objektivin e konservatorëve për shkurtimin e 66,000 roleve në shërbimin civil, por tani kërkon të bëjë një shkurtim të reduktuar.

Krahas rishikimit të shpenzimeve në qershor, do të publikohet plani i parë strategjik i fuqisë punëtore për shërbimin civil, duke parë madhësinë dhe formën e Whitehall dhe nëse është i përshtatshëm për qeverinë moderne.

Shërbimi publik përbëhej nga rreth 490,000 njerëz kur Gordon Brown u largua nga detyra në vitin 2010 dhe më pas u shkurtua në rreth 380,000 pas viteve të “shtrëngimit” të David Cameron dhe George Osborne në Whitehall.

Megjithatë, sektori u rrit në mënyrë të qëndrueshme gjatë Brexit dhe pandemisë për të arritur nivelin aktual prej 513,000 pozicionesh. Vitin e kaluar u rrit me afërsisht 5%.

Mendimi juaj

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat