Shqipëria Postuar më 24 Gusht 2026, 10:46

500 milionë lekë për shëtitoren Himarë-Potam/ Projekti, parashikohen pika panoramike e hapësira të gjelbra

Nga Ernilda Luzi

500 milionë lekë për shëtitoren Himarë-Potam/ Projekti,

Bashkia Himarë ka shpallur hapjen e garës për ndërtimin e pedonales Spile-Saraçinko me fond limit 500 mln lekë. Sipas dokumentit në Agjencinë e Prokurimit Publik, ky projekt parashikon një ndërhryje me rëndësi strategjike për strukturimin e vijës bregdetare dhe krijimin e një korridori publik, funksional, të aksesueshëm dhe cilësor në shërbim të komunitetit dhe vizitorëve. Projekti parashikon ndërtimin e shëtitore Himarë-Potam, me qëllim përmirësimin e hapësirave publike dhe rritjen e potencialit turistik të territorit.

Më tej në dokument theksohet se, projekti është konceptuar si një ndërhyrje urbane dhe bregdetare, ku krahas shëtitores do të përfshihen edhe elemente të reja të infrastrukturës publike. Pjesë e projektit do të jenë edhe pika panoramike, të konceptuara si hapësira ndalese dhe vëzhgimi, prej nga vizitorët do të mund të shijojnë pamjen e detit dhe peizazhit të Himarës.

Një tjetër komponent i rëndësishëm është sistemimi i bregdetit dhe i zonës së plazhit. Ndërhyrja synon përmirësimin e kushteve funksionale, estetike dhe mjedisore, duke garantuar një përdorim më të qëndrueshëm dhe të kontrolluar të hapësirës bregdetare. Projekti parashikon gjithashtu krijimin e një moli, i cili do të shërbejë si element funksional dhe rekreativ, duke rritur aksesin ndaj detit dhe mundësitë për zhvillimin e aktiviteteve bregdetare.

Sipas dokumentit teknik, gjendja aktuale e aksit Himarë–Potam paraqitet e fragmentuar. Shtrimi ndryshon nga një segment në tjetrin dhe përfshin beton, asfalt, pllaka prefabrikate dhe sipërfaqe të pashtruara. Shëtitorja e re do të konceptohet sipas një standardi të unifikuar, me synim garantimin e aksesueshmërisë për të gjithë përdoruesit.

Projekti parashikon strukturimin e hapësirave të gjelbra, përmirësimin e zonave të pushimit dhe krijimin e brezave të gjelbërimit dhe hijëzimit. Shëtitorja synon të krijojë një lidhje më funksionale mes qytetit, plazhit dhe peizazhit natyror, duke përmirësuar njëkohësisht cilësinë e hapësirave publike dhe përvojën e banorëve dhe turistëve.

Ndërhyrja përgjatë aksit Himarë–Potam do të shërbejë jo vetëm si infrastrukturë për lëvizjen këmbësore, por edhe si një hapësirë e re publike për rekreacion dhe aktivitet social, duke rritur potencialin turistik.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat