Bota Postuar më 19 Dhjetor 2025, 10:38

SHBA, marrëveshje me ByteDance për TikTok - Kompania shet mbi 80% të aseteve për të shmangur mbylljen e aplikacionit

Nga Kristi Ceta

SHBA, marrëveshje me ByteDance për TikTok - Kompania shet mbi 80%

Pronari kinez i TikTok, ByteDance, ka nënshkruar marrëveshje detyruese me tre investitorë të mëdhenj për të shitur pak më shumë se 80% të aseteve të kompanisë në Shtetet e Bashkuara tek investitorë amerikanë dhe ndërkombëtarë. Lëvizja synon të shmangë ndalimin e aplikacionit nga qeveria amerikane, u tha punonjësve drejtori ekzekutiv i TikTok, Shou Zi Chew.

Marrëveshja përfaqëson një hap të madh drejt zgjidhjes së pasigurisë shumëvjeçare mbi të ardhmen e aplikacionit të videove të shkurtra në SHBA, që nga gushti i vitit 2020, kur presidenti i atëhershëm Donald Trump u përpoq për herë të parë, pa sukses, ta ndalonte aplikacionin, që sot përdoret rregullisht nga më shumë se 170 milionë amerikanë.

Detajet e marrëveshjes janë në përputhje me paktin e zbuluar në shtator, kur Trump shtyu deri më 20 janar zbatimin e ligjit që ndalon aplikacionin, përveç rasteve kur pronarët kinezë e shesin atë. Presidenti amerikan gjithashtu deklaroi se marrëveshja përmbushte kushtet e kërkuara për shitjen e aseteve.

Kompania u bëri të ditur punonjësve se ByteDance dhe TikTok kanë nënshkruar marrëveshje detyruese me tre investitorë menaxhues: Oracle, Silver Lake dhe MGX, për të krijuar një sipërmarrje të re të përbashkët në SHBA me emrin TikTok USDS Joint Venture LLC.

Në memorandum, TikTok tha se marrëveshja do t’u mundësojë “mbi 170 milionë amerikanëve të vazhdojnë të zbulojnë një botë me mundësi të pafundme si pjesë e një komuniteti global jetik”. Sipas burimeve, Oracle, Silver Lake dhe MGX me seli në Abu Dhabi do të zotërojnë së bashku 45% të entitetit të ri.

Sipërmarrja e përbashkët amerikane do të zotërohet 50% nga një konsorcium investitorësh të rinj, duke përfshirë Oracle, Silver Lake dhe MGX me nga 15% secili; 30.1% do të mbahet nga filialet e disa investitorëve ekzistues të ByteDance; ndërsa 19.9% do të mbetet në pronësi të kompanisë mëmë, thuhet në memorandum.

Shqipëria 19 Dhjetor Edel Strazimiri

Si është mbyllur kjo javë për valutat e huaja?

Dollari amerikan e ka mbyllur javën pozitivisht duke regjistruar rritje të vlerës nga dita e djeshme teksa është blerë këtë mëngjes me 82 lekë dhe është......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat