Kosova Postuar më 19 Dhjetor 2025, 09:57

Rritet konsumi i energjisë në Kosovë - Operatori energjetik bën thirrje për ulje të ngarkesës së sistemit

Nga Kristi Ceta

Rritet konsumi i energjisë në Kosovë - Operatori energjetik

Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Licensës për Operatorin e Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT SH.A.) ka bërë të ditur se sistemi elektro-energjetik i Kosovës gjatë sezonit dimëror po përballet me rritje të ndjeshme të konsumit të energjisë elektrike, veçanërisht në orët e pikut.

Krahasuar me vitin e kaluar, konsumi ka shënuar rritje prej 14.33%, ndërsa ngarkesa maksimale prej 1468 MW është arritur në datën 18 dhjetor, në kushte kur temperaturat nuk kanë qenë shumë të ulëta. Kjo tregon se në ditët më të ftohta konsumi mund të rritet edhe më tej. Sipas KOSTT, kërkesa më e lartë për energji elektrike regjistrohet në intervalet 16:00–20:00 dhe 22:00–23:00.

“Në këtë kontekst, operatori fton qytetarët, institucionet dhe bizneset që, sipas mundësive të tyre, të ndërmarrin çdo veprim praktik që ndihmon në uljen e konsumit dhe të ngarkesës së sistemit. Kjo përfshin përdorim më të kujdesshëm të pajisjeve elektrike, zhvendosje të konsumit jashtë orëve të pikut dhe përdorim sa më efikas të energjisë në përgjithësi”, thuhet në njoftim.

Sipas të dhënave të sistemit, zonat me ngarkesë më të lartë në ditët e fundit janë nënstacionet Rahovec (përfshirë zonën e Malishevës), Prizreni 1, Gjilani 1 dhe Lipjani. Në këto zona kërkohet kujdes i shtuar dhe bashkëpunim i qytetarëve për të shmangur mbingarkesat dhe për të ruajtur furnizimin e qëndrueshëm me energji elektrike.

KOSTT paralajmëron se operimi i sistemit në kushte mbingarkese mund të imponojë zbatimin e reduktimeve të kontrolluara dhe të përkohshme të furnizimit, si masë teknike e domosdoshme për mbrojtjen e aseteve kritike të sistemit elektro-energjetik, të cilat sigurojnë furnizimin. Në këto raste, qytetarët udhëzohen me mirëkuptim që të largojnë pajisjet elektrike nga rrjeti deri në rikthimin e furnizimit, me qëllim mbrojtjen e tyre dhe mundësimin e rikthimit sa më të shpejtë dhe të sigurt të furnizimit normal.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat