Bota Postuar më 25 Tetor 2022, 14:27

Kriza e parë e vërtetë globale e energjisë po ndodh! - Vendet eksportuese të naftës reduktojnë furnizimet

Nga SCAN TV
Kriza e parë e vërtetë globale e energjisë po ndodh! -

Shtrëngimi i tregjeve për sa i përket gazit natyror të lëngshëm në të gjithë botën dhe reduktimi i furnizimit nga ana e prodhuesve kryesorë të naftës, kanë krijuar një krizë të mirëfilltë globale të energjisë. Deklarata u bë nga kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol.

Rritja e importeve të gazit natyror të lëngshëm në Europë në mes të krizës në Ukrainë dhe një rikthim i mundshëm i ‘oreksit’ kinez për karburantin do të shtrëngojë dhe më shumë tregun, pasi vetëm 20 miliard metra kub gaz natyror të lëngshëm do të ketë në treg vitin e ardhshëm. Lajmi u konfirmua nga drejtori ekzekutiv i IEA-s, Fatih Birol, në javën ndërkombëtare të energjisë në Singapor.

Në të njëjtën kohë vendimi i fundit i Organizatës së vendeve eksportuese të naftës, OPEC, dhe aleatëve të saj, të njohur si OPEC+, për të reduktuar në 2 milion fuci në ditë të prodhimit, konsiderohet si i rrezikshëm nga ana e IEA.

Birol sqaroi se vendimi është shumë i rrezikshëm pasi disa ekonomi në mbarë botën janë në prag recesioni.

Rritja e çmimeve globale për një numër burimesh energjie, duke përfshirë naftën, gazin natyror dhe qymyrin, po godet konsumatorët në të njëjtën kohë që tashmë po përballen me rritjen e inflacionit të ushqimeve dhe shërbimeve. Çmimet e larta dhe mundësia e racionimit janë potencialisht të rrezikshme për konsumatorët europianë teksa përgatiten të hyjnë në stinën e dimrit. Birol u shpreh se Europa mund ta kalojë këtë dimër, dhe pse disi e dëmtuar nëse moti mbetet i butë.

Ai u shpreh se nëse nuk do të përjetojmë një dimër jashtëzakonisht të ftohtë dhe të gjatë, dhe nëse nuk do të ketë surpriza, si për shembull shpërthimi i gazsjellësit Nordstream, Europa do të mund ta kalojë këtë dimër me disa goditje jo të forta ekonomike dhe sociale.

Për naftën, konsumi pritet të rritet me 1.7 milionë fuçi në ditë në vitin 2023, kështu që bota do të ketë ende nevojë për naftën ruse për të përmbushur kërkesën, shtoi Birol.

Vendet e G7 kanë propozuar një mekanizëm që do t'u mundësonte vendeve në zhvillim të blejnë naftë ruse, por me çmime më të ulëta, për të kufizuar të ardhurat e Moskës pas luftës në Ukrainë.

Birol tha se skema ka ende shumë detaje për të përfunduar dhe do të kërkojë blerjen nga ana e vendeve kryesore importuese të naftës.

Një zyrtar i Thesarit të SHBA u shpreh për agjencinë e lajmeve Reuters, se nuk është e paarsyeshme të besohet se deri në 80% deri në 90% të naftës ruse do të vazhdojë të rrjedhë jashtë mekanizmit të kufirit të çmimit nëse Moska kërkon ta shpërfillë atë.

Birol u shpreh se kjo është gjë e mirë sepse bota ka ende nevojë për naftë ruse për të rrjedhur në treg tani për tani. Një nivel 80%-90% është nivel i mirë dhe inkurajues për të përmbushur kërkesën, shtoi ai.

Kriza e energjisë mund të jetë një pikë kthese për përshpejtimin e burimeve të pastra dhe për formimin e një sistemi energjie të qëndrueshëm dhe të sigurt, tha Birol.

IEA ka rishikuar parashikimin e rritjes së kapacitetit të energjisë së rinovueshme në 2022 në një rritje prej 20% nga viti në vit nga 8% më parë, me afro 400 gigavat kapacitet të rinovueshëm të shtuar këtë vit.

Shumë vende në Europë dhe gjetkë po përshpejtojnë instalimin e kapaciteteve të rinovueshme duke shkurtuar proceset e lejeve dhe licencimit për të zëvendësuar gazin rus.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat