Shqipëria Postuar më 8 Nëntor 2023, 10:32

Konferenca Rajonale mbi Lehtësimin e Tregtisë – Mete: Digjitalizimi po i mundëson kompanive të rrisin shtrirjen dhe shpejtësinë e tregtisë!

Nga SCAN TV
Konferenca Rajonale mbi Lehtësimin e Tregtisë – Mete:

Ministri Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete në Konferencën Rajonale mbi Lehtësimin e Tregtisë ka adresuar disa tema të rëndësishme në lidhje me sfidat dhe mundësitë që sjellin transformimet digjitale në ekonomitë rajonale. Ai theksoi se digjitalizimi po i mundëson kompanive të rrisin shtrirjen dhe shpejtësinë e tregtisë, duke i ndihmuar ato të kapërcijnë barrierat e rritjes dhe të përdorin mënyra inovative për të kryer transaksione komplekse.

Në këtë kontekst, Ministri përmendi disa veprime konkrete që qeveria shqiptare ka ndërmarrë për të përmirësuar lehtësimin e tregtisë, përfshirë heqjen e tarifave doganore, heqjen e barrierave jo-tarifore, krijimin e pikave të përbashkëta të kontrollit, njohjen reciproke të Operatorëve të Autorizuar Ekonomikë dhe zhvillimin e sistemeve të tranzitit.

Mete gjithashtu vlerësoi rolin e bashkëpunimit rajonal dhe thekson se konferenca është një mundësi e mirë për të angazhuar edhe doganat e tjera të Ballkanit Perëndimor për të lidhur marrëveshje të ngjashme me shtetet e tyre anëtare fqinje të BE-së. Ai thekson potencialin e tregut të përbashkët evropian, me mbi 450 milionë konsumatorë, dhe thekson rëndësinë e dialogut qeveri-biznes për të shpejtuar proceset e lehtësimit të tregtisë.

Mete përmendi gjithashtu progresin në digjitalizimin e shërbimeve doganore dhe modernizimin e Administratës Doganore Shqiptare, duke argumentuar se kjo ka ndikuar në zvogëlimin e kohës së çlirimit të mallrave në portin e Durrësit dhe në zyrat doganore të tjera. Ai shprehet optimist për të ardhmen dhe thekson rëndësinë e harmonizimit të procedurave doganore me ato të tregut të përbashkët Europian.

E . S / SCAN

Fjala e Ministrit Ervin Mete – Konferenca Rajonale mbi Lehtësimin e Tregtisë

Të nderuar Ambasadorë,

Zonja dhe Zotërinj,

 Sot të gjitha ekonomitë po përballen me sfidat që sjellin transformimet digjitale, në përpjekje për t’i kthyer ato në avantazhe, për të reduktuar kostot dhe për të rritur produktivitetin. Të kapërcesh kufijtë përmes tregtisë, sot është shumë herë më e lehtë.  Digjitalizimi po u mundëson bizneseve të rrisin shtrirjen dhe shpejtësinë e tregtisë.

Kompanitë, veçanërisht ato të mesme dhe të vogla po përdorin mjete digjitale dhe novatore për të kapërcyer barrierat e rritjes, po adaptojnë modele të reja që lejojnë kryerjen e transaksioneve komplekse, si dhe po përdorin mundësi alternative financimi.

Kësaj fryme dhe domosdoshmërisë për të hartuar politika dhe strategji të reja i shërben sot edhe kjo Konferencë Rajonale. Pjesëmarrja e drejtuesve t֝ë nivelit të lartë nga shumë institucione dhe organizma ndërkombëtare reflekton rëndësinë e saj.

Mes ekonomistëve, ekspertëve apo politikëbërësve gjithnjë e më shumë po diskutohet nëse ka ardhur koha të ndryshojmë rregullat tradicionale të tregtisë. Në një kohë digjitale, kur kufijtë po bëhen të padukshëm, shumë kompani po operojnë në mënyrë fleksibël nga vende të ndryshme dhe kjo e ka bërë të vështirë identifikimin e rregullave të veçanta tregtare që duhet të zbatohen për transaksione specifike.

Të nderuar pjesëmarrës,

Raporti i fundit i Kombeve të Bashkuara mbi Digjitalizimin dhe Lehtësimin e Tregtisë vlerësoi kryesisht Shqipërinë në dy aspekte të rëndësishme: tregtinë “pa letra” (paperless trade) dhe atë ndërkufitare (cross border paperless trade), duke e pozicionuar pozitivisht sa i takon “rankimit” për masat që janë marrë dhe zbatimin e tyre (40%-60%). Në të theksohet se adoptimi i standardeve ndërkombëtare, harmonizimi i kornizave ligjore e teknike nëpërmjet një marrëdhënie më të ngushtë ndërqeveritare dhe bashkëpunimi ndërkufitar “pa letra” mbeten thelbësore për krijimin e një ndërveprimi më të madh ndërmjet sistemeve kombëtare.

Në këtë aspekt, qeveria shqiptare, ka ndërmarrë masa konkrete në kuadër të angazhimeve të dala nga Procesi i Berlinit.  Progresi i arritur në nivel politik përmes heqjes së tarifave doganore mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit dhe mes vetë vendeve të rajonit tonë nëpërmjet marrëveshjeve të tregtisë së lirë, të Stabilizim-Asociimit dhe CEFTA-s, po plotësohet me masa teknike për heqjen e barrierave jo-tarifore, krijimin e pikave të përbashkëta të kontrollit “One Stop Shop”, njohjen reciproke të Operatorëve të Autorizuar Ekonomikë, si dhe përmes një sistemi të integruar të tranzitit.

Në këtë drejtim, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka mbështetur idenë për fazën e dytë të projektit të Bankës Botërore për Lehtësimin e Tregtisë dhe Transportit. Ky propozim kërkon ndërmarrjen e një sërë masash, si dhe iniciativave të tjera, si Korsitë Blu, Korsitë e Gjelbëra, etj.

Shembulli i ‘One Stop Shop” mes Shqipërisë dhe Kosovës, Malit të Zi dhe nga  korriku 2023 edhe me Maqedoninë e Veriut, janë modele konkrete zbatimi se si është përgjysmuar koha dhe janë ulur kostot për operatorët ekonomikë mes vendeve të rajonit.  Ndaj kjo konferencë është një mundësi e mirë për të angazhuar edhe doganat e tjera të Ballkanit Perëndimor që të lidhin marrëveshje të ngjashme me shtetet e tyre anëtare fqinje të BE-së.

Po flasim për tregun e përbashkët evropian, me më shumë se 450 milionë konsumatorë, ku 85% e bizneseve të Ballkanit Perëndimor besojnë se produktet, mallrat dhe shërbimet e tyre jo vetëm që mund të mbijetojnë, por edhe mund të konkurrojnë me atë që 27 vendet e BE-së kanë aktualisht për të ofruar.

Mbetet ende shumë për të bërë, por besoj se potenciali ekziston dhe ai duhet shfrytëzuar.  Dialogu Qeveri - biznes është i rëndësishëm me qëllim përshpejtimin e proceseve për lehtësimin e tregtisë. Anketimet me biznesin, të realizuara së fundmi, japim vlerësime pozitive në këtë drejtim dhe janë inkurajuese për të shtyrë më tej proceset transformuese.

Nga ana tjetër shërbimet e digjitalizuara kanë reduktuar ndjeshëm kontaktet fizike me administratën doganore. Sot, 34 shërbime ofrohen elektronikisht përmes portalit qeveritar e-Albania, ndërsa po punohet për vënien në zbatim edhe të 21 shërbimeve të tjera.

Thjeshtimi dhe modernizimi i qëndrueshëm i shërbimeve ndaj biznesit, u evidentua edhe në raportin e Bankës Botërore, si tregues i impaktit që modernizimi i Administratës Doganore Shqiptare ka pasur në procedurat doganore, ku rezultoi se në Portin e Durrësit, koha mesatare e çlirimit të mallrave është shkurtuar me 26%, në zyrat doganore kufitare, me 20%, ndërsa në zyrat doganore të brendshme me 74%.

Të nderuar pjesëmarrës,

Procesi i Berlinit është një mundësi e mirë për të përmbushur synimet tona të përbashkëta për integrimin ekonomik dhe zhvillimin e rajonit të Ballkanit.  Harmonizimi i procedurave doganore me ato të tregut të përbashkët Evropian ka rëndësi prioritare në këtë drejtim. Kjo konferencë është një mundësi e mirë jo vetëm për të ndarë vizione dhe ide, por edhe për të krijuar ura të reja bashkëpunimi dhe uroj që të shërbejë si e tillë.

Shumë suksese dhe shumë faleminderit!

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat