Shqipëria Postuar më 3 Gusht 2022, 12:41

Koncesioni 837 milionë euro Milot-Fier, vetëm 26.6 km rrugë e re - DETAJET/ 59.5 km do kalojë në rrugën ekzistuese, para’ nga buxheti për trafikun e munguar

Nga SCAN TV
Koncesioni 837 milionë euro Milot-Fier, vetëm 26.6 km rrugë e re

Koncesioni i autostradës Milot – Fier do të zgjatë 35 vjet, ndërsa përgjatë gjithë gjatësisë kalimi i automjeteve do të jetë me pagesë. Të ardhurat e kompanive që do të ndërtojnë rrugën do të sigurohen nga këto pagesa, ndërkohë që ngjashëm me kontratën për segmentin Thumanë – Kashar, për 8 vite buxheti i shtetit do të rimbursojë kompanitë private, në rast të trafikut të munguar.

Referuar dokumenteve të 3 garave koncesionare që u hapën 1 ditë më parë, vlera e investimit për 86.1 km rrugë parashikohet të jetë rreth 837 mln euro, pa TVSH. Pjesa më e madhe e autostradës apo 59.5 km janë rrugë ekzistuese, ndërkohë që vetëm 26.6 km janë gjurmë e re.

Në total Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë hapi të martën 3 gara koncesionare, duke e ndarë rrugën në 3 segmente. Ndërkohë që edhe segmenti Thumanë – Kashar është pjesë e autostradës Milot – Fier, por tashmë për këtë lot është nënshkruar kontrata koncesionare, ndërsa vlera e investimit nuk është bërë publike dhe nuk është pjesë e kontratës të publikuar në Fletoren Zyrtare.  Ndërkaq, referuar koncesioneve të rinj, që parashikohet të jepen, i pari përfshin segmentin Lekaj – Fier, që ka një gjatësi prej 46 km që është tërësisht ekzistues.

Sipas dokumenteve të tenderit, në këtë segment do të shtohet vetëm korsia e emergjencës dhe 5 kryqëzime të reja, ndërsa parashikohet edhe përmirësimi i kryeqëzimeve ekzistues. Vlera e investimit për këtë kontratë parashikohet të jetë rreth 317.6 mln euro, pa TVSH.

Segmenti i dytë është Kashar – Lekaj, me gjatësi 26.6 km që do të ndërtohet në një gjurmë të re, ndërkohë që në total do të ketë një gjatësi prej 33.6, pasi 7 km të këtij seksioni janë pjesë e bypassit të Tiranës dhe do të ndërtohen nga kompania që do të kryejë punimet për këtë të fundit e për pasojë nuk janë objekt i koncesionit.

Vlera e investimit për këtë segment parashikohet të jetë 475 mln euro. Ndërkaq, segmenti i tretë Milot – Thumanë, me gjatësi 13.5 km është gjithashtu rrugë ekzistuese. Seksioni ekzistues është një karrexhatë me dy korsi dhe me dy sense lëvizjeje 2x2 (A1), me një trafikndarëse dhe korsi emergjence, ndërkohë që koncesionari parashikohet të kryejë përmirësime për ta kthyer në një autostradë të Kategorisë A. Vlera Vlera e investimit për këtë segment parashikohet të jetë 44.6 mln euro.

Ola Mitre / SCAN

https://www.youtube.com/watch?v=Mf7UD8cVOh8

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat