Europa Postuar më 20 Janar 2023, 10:05

Kompanitë europiane druhen nga sulmet kibernetike dhe inflacioni!

Nga SCAN TV
Kompanitë europiane druhen nga sulmet kibernetike dhe inflacioni!

Rrezikun më të madh për bizneset e tyre, ndërmarrjet e pyetura nga Allianz, kompania më e madhe e sigurimeve në Europë, vazhdojnë ta shohin tek sulmet kibernetike. Dhe kanë të drejtë për këtë. Sepse shpenzimet e shkaktuara nga ndërprerja e punës janë të mëdha, sipas vlerësimeve ato kanë arritur në gjithë botën në një miliardë dollarë, shifër që është gati sa 1 % e prodhimit të brendshëm bruto të botës.

Dhe sipas vlerësimeve të AGCS, një firmë subkontraktuese e Allianz-ës, shpenzimet mesatare për çdo firmë janë rritur duke arritur rekord të ri.

Vjedhja e të dhënave përbën problemin më të madh për ndërmarrjet, duke u pasuar direkt nga shantazhi që bëhet prej infiltrimit të software-ve të dëmshëm. Nuk ka shumë kohë që një sulm i rëndë hakerash bërë kundër furnizuesit të automjeteve, Continental, përfundoi në titujt e gazetave.

Ky është përfundimi i nxjerrë nga barometri i rreziqeve, prezantuar (17.01) nga Allianz-a. Për të përgatitur barometrin, AGCS, pyeti deri në fund të nëntorit mbi 2700 ekspertë të çështjeve të sigurisë dhe menaxherë ndërmarrjesh nga 94 vende. Gati gjysma e forcave drejtuese të marra në pyetje, kanë qenë drejtues të ndërmarrjeve të mëdha me volum pune më të madh se 500 milionë dollarë në vit.

AGCS bazohet në vlerësimet, sipas të cilave shpenzimet mesatare shkaktuar për ndërmarrjet pas një vjedhjeje të dhënash janë rritur në vitin 2022, duke arritur shifrën rekord prej 4,35 milionë dollarësh. Për vitin 2023 pritet që kjo shifër të arrijë në mbi pesë milionë dollarë. Shqetësim të madh për sulmet e mundshme kibernetike kanë sidomos ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Ndërkohë që në sondazhin e para një viti, sulmet kibernetike përbënin rrezikun numër një, me pandeminë dhe luftën e Ukrainës, kanë dalë në plan të parë shqetësime të reja. Frika nga problemet e përgjithshme ekonomike ka kaluar nga vendi i dhjetë në vend të tretë, direkt pas ndërprerjes së punës për shkak të sulmeve kibernetike. Aktualisht, shqetësimin më të madh e shkakton inflacioni i lartë. Dhe viti 2022 karakterizohej natyrisht edhe nga kriza energjetike dhe shqetësimet për furnizimin e mjaftueshëm dhe të përballueshëm me energji.

Manaxhimi i shpenzimeve është kthyer në mjetin kryesor, për të vënë nën kontroll rritjen e rrogave, inflacionin e përgjithshëm ose rritjen e çmimit të energjisë. Skema e rëndësisë së çështjeve, ndryshon në Gjermani nga ajo në nivel global. Ndërprerja e punës për shkak të sulmeve kibernetike është në vend të parë. Shqetësimet për çmimin e energjisë dhe furnizimin me energji zënë vendin e tretë.

Për herë të parë në listën e dhjetë rreziqeve më të mëdha për ndërmarrjet shfaqet mungesa e forcave të specializuara, që është në vend të tetë. Në Gjermani, shqetësimet për mungesën e personelit duket se janë më të mëdha, duke zënë këtu vendin e gjashtë të listës. DW

E . S / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat