Analiza Postuar më 17 Gusht 2026, 11:40

17% më shumë vizitorë në strukturat akomoduese/ Polakët rikthehen sërish mes turistëve më të shumtë në sezon

Nga Eldiona Serani

17% më shumë vizitorë në strukturat akomoduese/ Polakët

Të dhënat e INSTAT për muajin qershor tregojnë një tjetër muaj pozitiv për turizmin në Shqipëri. Numri i vizitorëve të regjistruar në strukturat akomoduese në vend u rrit me 17% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja është ndikuar si nga vizitorët rezidentë, ashtu edhe nga turistët e huaj. Numri i vizitorëve rezidentë u rrit me 7%, ndërsa ai i vizitorëve jo rezidentë, pra i turistëve të huaj, shënoi një rritje më të fortë prej 20.6%.

Edhe net-qëndrimet vijuan trendin pozitiv. Gjatë qershorit ato u rritën me 9.8% në krahasim me qershorin e vitit të kaluar. Konkretisht, net-qëndrimet e vizitorëve rezidentë u rritën me 11.8%, ndërsa ato të vizitorëve jo rezidentë me 9.2%.

Sa i përket origjinës së vizitorëve, Kosova vijon të jetë tregu kryesor, duke përbërë rreth 15% të totalit. Pas saj renditet Italia me 14%. Edhe vizitorët polakë vijojnë të kenë një peshë të rëndësishme në turizmin shqiptar me 13%, duke u renditur ndër grupet më të mëdha të turistëve të huaj edhe këtë qershor. Ky trend nuk është i ri, pasi edhe gjatë sezonit veror të vitit të kaluar turistët nga Polonia ishin ndër tregjet kryesore të huaja për Shqipërinë, duke konfirmuar interesin në rritje të këtij tregu për destinacionet shqiptare.Vizitorët nga Franca dhe Gjermania përbëjnë secili rreth 7%, ndërsa 44% e vizitorëve vijnë nga vende të tjera.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se turizmi nuk është përqendruar vetëm në një zonë të vendit. Rajoni qendror vijon të jetë më i vizituari në strukturat akomoduese, me afro 219 mijë vizitorë, i ndjekur nga rajoni jugor me rreth 206 mijë vizitorë. Në veri u regjistrua numri më i ulët, me rreth 161 mijë vizitorë.

Në të treja rajonet, numri i vizitorëve jo rezidentë ishte më i lartë, duke konfirmuar peshën që turistët e huaj kanë në aktivitetin e strukturave akomoduese gjatë sezonit veror.

Një tjetër tregues pozitiv është norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele, e cila në qershor arriti në 41.3%, nga 39.5% një vit më parë. Kjo përfaqëson një rritje prej 1.8 pikë përqindjeje, duke treguar një përdorim më të lartë të kapaciteteve akomoduese në vend.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat