Shqipëria Postuar më 17 Gusht 2026, 10:38

Biznesi, model i ri përfaqësimi - Në konsultim Dhoma Ekonomike Kombëtare, tarifa vjetore nga 1,000 lekë

Nga Fabjona Pasho

Biznesi, model i ri përfaqësimi - Në konsultim Dhoma Ekonomike

Një strukturë e re kombëtare pritet të ndryshojë mënyrën e organizimit dhe përfaqësimit të bizneseve në vend. Projektligji për Dhomën Ekonomike Kombëtare I nxjerrë për konsultim publik, parashikon që subjektet tregtare aktive të bëhen automatikisht anëtare të saj, ndërsa pas periudhës tranzitore do të vendoset edhe një tarifë e detyrueshme vjetore regjistrimi.

Sipas projektligjit, çdo subjekt  me status aktiv në Regjistrin Tregtar në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit, do të bëhet anëtar automatikisht.  E njëjta skemë do të zbatohet edhe për  bizneset e reja që regjistrohen ose aktivizohen më pas. Përjashtim bëjnë subjektet që, janë të detyruara të anëtarësohen në dhoma, urdhra profesionalë apo organizime të tjera të parashikuara me ligj, për të cilat anëtarësimi do të mbetet vullnetar.

Për dy vitet e para, bizneset do të kenë statusin e anëtarit pa paguar tarfiën vjetore. Pas përfundimit të kësaj periudhe, subjektet që nuk janë objekt I tatimit mbi fitimin, do të paguajnë 1 mijë lekë në vit. Për bizneset e tjera, tarifa do të caktohet nga Asambleja e Përgjithshme, duke marrë parasysh formën ligjore, madhësinë e ndërmarrjes, numrin e punonjësve dhe xhiron vjetore, por nuk mund të kalojë 70 mijë lekë në vit. Edhe bizneset e sapohapura do të paguajnë 1 mijë lekë për vitin e parë.

Pagesa parashikohet të kryhet përmes sistemit bankar deri më 30 prill të vitit pasardhës, ndërsa moshlyerja do të ndëshkohet me gjobë.

Dhoma Ekonomike Kombëtare parashikohet të funksionojë si person juridik i së drejtës publike dhe të marrë edhe një sërë funksionesh publike. Mes tyre janë lëshimi i certifikatave të origjinës, mirëmbajtja dhe përditësimi i kodit të aktivitetit ekonomik, analiza ekonomike, mbështetja e bizneseve në procedurat e regjistrimit, si dhe promovimi i markës “Made in Albania”. Projektligji i jep gjithashtu Dhomës akses të plotë dhe të vazhdueshëm, si përdorues, në regjistrin tregtar dhe në regjistrat e lejeve, licencave dhe autorizimeve, në bashkëveprim me QKB-në.

Struktura e re do të zëvendësojë sistemin aktual të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë. Gjatë tranzicionit, dhomat ekzistuese do të vazhdojnë aktivitetin deri në përfundimin e mandateve, por nuk do të mund të marrin përsipër detyrime të reja, të ndryshojnë kontrata apo të kryejnë veprime financiare me palë të treta pa miratimin me shkrim të drejtuesit të Komisionit të Përkohshëm Teknik. Pas përfundimit të mandateve ato konsiderohen të shpërbëra.

Për ngritjen e sistemit të ri, Dhoma Ekonomike Kombëtare do të financohet nga buxheti i shtetit gjatë periudhës tranzitore, por jo më gjatë se dy vjet.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat