Bota Postuar më 23 Mars 2023, 10:36

Kolapsi i bankave, Citigroup: Nuk është situatë krize! - Apel për ruajtjen e besueshmërisë tek bankat amerikane

Nga SCAN TV
Kolapsi i bankave, Citigroup: Nuk është situatë krize! - Apel

Administratorja e Përgjithshme e Citigroup, Jane Fraser, konfirmoi besimin te bankat amerikane pas një sërë situatash që tronditën investitorët dhe nxitën trazira në tregjet financiare globale. Në fjalën e saj për Klubin Ekonomik të Uashingtonit ajo u shpreh se sistemi bankar është mjaft i shëndetshëm, dhe së bankat e mëdha dhe rajonale janë të mirëkapitalizuara. Ajo theksoi se kjo nuk është një krizë kredie, por një situatë ku janë disa banka që kanë disa probleme dhe është më mirë që problemet të zgjidhen që në fillim.

Në dy javët e fundit, dy banka amerikane pësuan kolaps, Credit Suisse Group u ble nga rivali zviceran UBS Group dhe huadhënësit më të mëdhenj të Amerikës ranë dakord të depozitonin 30 miliardë dollarë në Bankën ‘First Republic’. Deklaratat e Fraser ishin ndër të parat nga drejtuesi i një banke të madhe që nga fillimi i trazirave.

Citi, huadhënësi i katërt më i madh në SHBA, ishte një nga 11 bankat kryesore që hodhën një litar shpëtimi javën e kaluar për bankën “First republic”, në një përpjekje për të ndihmuar në blerjen e kohës për ristrukturim.

Por Fraser sqaroi se nuk ka asnjë interes për blerjen e kësaj banke, pavarësisht kontributit me 5 miliardë dollarë për huadhënësin në një shenjë besimi.

Lëvizja për të mbështetur ‘First Republic’ ishte një shfaqje e paprecedentë e unitetit midis gjigantëve bankarë që janë normalisht konkurrentë të ashpër, sipas Fraser.

Duke folur për Credit Suisse, Fraser u shpreh se ajo që ndodhi, në fakt ishte vetëm një cështje kohe. Kjo sepse bëhet fjalë për një institucion i cili ka qenë i trazuar për një kohë të gjatë, duke përmendur këtu paqëndrueshmërinë e menaxhimit dhe krizat e ndryshme.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat