Bota Postuar më 23 Mars 2023, 10:10

Dollari zbret në nivelin më të ulët në 7 javë - FED rrit normën bazë të interesit me 25 pikë, sinjalizon fundin e ciklit

Nga SCAN TV
Dollari zbret në nivelin më të ulët në 7 javë -

Dollari është gjendur nën presion në sesionin e sotëm dhe po tregtohet në nivelin më të ulët në 7 javët e fundit, pasi yield-i i obligacioneve të Thesarit amerikan ra ndjeshëm menjëherë pas rritjes së interesave nga Rezerva Federale, në mbrëmjen e djeshme. Banka qendrore amerikane rriti normën bazë të interesit me 25 pikë bazë, sikurse pritej gjerësisht nga investitorët, por nuk u përmend fjalia se do të ketë rritje të mëtejshme të interesave.

Kjo bëri që investitorët të besojnë se, Rezerva Federale mund t’i ketë dhënë fund ciklit të rritjes së interesave. Në konferencën për mediat, shefi i Rezervës Federale, Jerome Powell deklaroi se po monitorohen edhe zhvillimet në sistemin bankar, që lëkundën besimin e investitorëve në fillim të këtij muaji.

Pas këtyre lajmeve, euro u rrit me rreth 1.3% në raport me dollarin amerikan, duke u ngjitur mbi nivelin e 1.09 dollarëve, niveli më i lartë që nga fillimi i shkurtit. Ndërkohë, edhe paundi britanik po qëndron në nivelin më të lartë në 7 javët e fundit, përballë dollarit, pasi inflacioni në Britani u rrit me 10.4% gjatë shkurtit, duke shtuar presionin ndaj Bankës së Anglisë për të rritur sërish interesat.

Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin humbi rreth 3% të vlerës në sesionin e kaluar, pasi disa padi të Komisionit të Letrave me Vlerë dhe Këmbimeve në SHBA kundër promovimit të kriptomonedhave ushtruan presion mbi tregun e aseteve dixhitale. Megjithatë, në sesionin e sotëm Bitcoin ka rikuperuar një pjesë të humbjeve dhe po tregtohet në rreth 27,800 dollarë, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1760 dollarë.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat