Desktop - General - 1
Desktop - General - 4
Europa Postuar më 23 Mars 2023, 10:34

Kompanitë duhet të riparojnë produktet mbi 10-vjeçare - BE propozon rregulla të reja në mbrojtje të konsumatorit

Nga SCAN TV
Kompanitë duhet të riparojnë produktet mbi 10-vjeçare - BE

Bashkimi Europian synon t'u japë konsumatorëve të drejtën, që pajisjet elektroshtëpiake të vjetëruara, si lavatrice apo televizorë, të riparohen nga kompanitë që i kanë prodhuar. Kjo do të jetë e mundur dhe pas përfundimit të garancisë, me objektivin për të reduktuar mbeturinat dhe për t'u zgjatur “jetën” këtyre pajisjeve.

Komisioni Europian propozoi rregulla të reja sipas së cilave prodhuesit do të jenë të detyruar të ofrojnë riparime për një produkt për pesë deri në dhjetë vjet pasi ai është shitur - pavarësisht nëse garancia ligjore është ende e vlefshme apo jo.

Rregullat do të zbatohen për frigoriferët, fshesat me korent, televizorët, lavatricet dhe mallrat e tjera që konsiderohen "të riparueshme" sipas ligjit të BE-së. BE-ja po negocion rregulla që do të zgjeronin këtë gjë dhe për telefonat inteligjentë dhe tabletët.

Konsumatorët dhe bizneset europiane nxjerrin jashtë përdorimit, në mënyrë rutinore, mallra që mund të riparohen, duke grumbulluar mbeturina dhe duke hedhur pjesë që mund të rikuperohen dhe të ripërdoren.

Një studim i vitit 2020 nga Agjencia Gjermane e Mjedisit zbuloi se jetëgjatësia e "përdorimit të parë" për produktet, duke përfshirë televizorët dhe pajisjet e mëdha elektroshtëpiake, është ulur vitet e fundit.

Disa produkte nuk ishin të dizajnuara për t'u riparuar lehtësisht, ndërsa për të tjerët ishte më lirë të blinin një produkt të ri sesa të riparonin një të vjetër. Në shumë raste, konsumatorët thjesht zëvendësuan mallrat që ende funksiononin, sepse donin një version më të ri.

Sipas rregullave të BE-së, kompanitë do të duhet të riparojnë falas një produkt me defekt brenda periudhës së garancisë ligjore dyvjeçare, nëse kostoja e riparimit është më e lirë ose e barabartë me zëvendësimin e produktit.

Pas kësaj date, kompanitë duhet të ofrojnë ende riparime, falas ose me pagesë. BE-ja dëshiron gjithashtu të aktivizojë një shërbim online për të ndihmuar konsumatorët të gjejnë riparues vendas dhe mendon se konkurrenca me riparues të tjerë do të ruajë një kufi mbi kostot.

Organizata Europiane e Konsumatorit, e mirëpriti propozimin, por tha se do të kishte më shumë kuptim zgjatja e periudhës ligjore të garancisë për produkte me jetëgjatësi si frigoriferët.

BE-ja po negocion një sërë politikash për të nxitur kompanitë drejt prodhimit të produkteve më të qëndrueshme dhe për t'u dhënë konsumatorëve informacion më të qartë në lidhje me ndikimin mjedisor të asaj që ata përdorin.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

All - General - 2
Të fundit
Të gjitha lajmet
All - General - 3
Desktop - General - 7

Më të vizituarat