Bota Postuar më 23 Mars 2023, 10:31

FED rrit sërish normat e interesit - Powell: Të përgatitur për të përdorur çdo mjet për sigurinë e sistemit

Nga SCAN TV
FED rrit sërish normat e interesit - Powell: Të përgatitur

Rezerva Federale rriti normat e interesit me një çerek pikë përqindjeje, por tregoi se ishte në prag të ndalimit të rritjeve të mëtejshme të kostove të huamarrjes mes trazirave të fundit në tregjet financiare të nxitura nga kolapsi i dy bankave amerikane.

Kryetari i Fed-it Jerome Powell në konferencën për mediat u përqendrua në krizën e fundit bankare, duke kërkuar të sigurojë depozituesit, konsumatorët dhe bizneset se sistemi ishte ‘i shëndetshëm’ pas një morie veprimesh që banka qendrore dhe rregullatorët e tjerë kanë ndërmarrë në dy javët e fundit.

Kreu i Fed tha se zyrtarët "janë të përgatitur të përdorin të gjitha mjetet sipas nevojës për ta mbajtur atë të sigurtë dhe të shëndetshëm".

Trazirat, megjithatë, ndoshta do të ndikojnë në rritjen dhe perspektivën ekonomike, tha ai, me ngjarjet e fundit që mund të rezultojnë në kushte më të shtrënguara kreditimi për familjet dhe bizneset.

Në një ndryshim kyç të nxitur nga dështimet e papritura këtë muaj të Silicon Valley Bank (SVB) dhe Signature Bank, deklarata e fundit e Fed nuk thekson më se "rritja e vazhdueshme" e normave ka të ngjarë të jetë e përshtatshme.

Duke qenë se është shumë herët për të përcaktuar rezultatet e këtyre efekteve, Powell tha se ishte e përshtatshme të vazhdohej me një rritje të normës në këtë takim, por në të njëjtën kohë nuk duhet thënë më se rritja "e vazhdueshme" e normave ishte e përshtatshme.

Rezultati i takimit të fundit dy-ditor shënon një ripozicionim të papritur të strategjisë së bankës qendrore nga vetëm dy javë më parë, kur Powell dëshmoi në Kongres se inflacioni më i lartë se sa pritej kishte të ngjarë të detyronte bankën qendrore të rriste normat e interesit më të larta dhe ndoshta më shpejt se sa pritej.

Por Powell tha se banka qendrore vazhdon të ruajë fokusin e saj në uljen e inflacionit.

Dorina Kurtaj /SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat