Shqipëria Postuar më 13 Korrik 2023, 13:46

Jo vetëm euro! Leku përballë dollarit dhe paundit - Analiza/Cila ishte tendenca e kursit të këmbimit në korrik

Nga SCAN TV
Jo vetëm euro! Leku përballë dollarit dhe paundit - Analiza/Cila

Muaji Korrik ka njohur luhatjet më të forta të kursit të këmbimit të regjistruara deri më tani, ku monedha kombëtare ka pasur një “revansh” të ndjeshëm kundrejt monedhave të huaja. Euro ka qenë ajo që ka njohur zhvlerësimin më të madh kundrejt Lekut. Nëse do të marrim në analizë gjithë muajin korrik, referuar kursit zyrtar të Bankës Së Shqipërisë, vihet re një zhvlerësim gradual dhe i pandalshëm i euros kundrejt lekut nga 105.71 në fillim muaj, më 13 korrik rezulton se 1 euro këmbehet me 103.6.

Sa i takon vlerës mesatare të çmimeve të blerjes dhe të shitjes, rezulton se në fillim të muajit mesatarja e çmimit në shitje e euros ishte 106.8 lekë,  ndërsa në blerje 105.35 lekë. Ndërsa më datën 13 Korrik, rezulton se  mesatarja e çmimit në shitje e euros është 103.95 dhe në blerje 103.24, duke prekur kështu një rekord të ri historik.

Rënie progresive ka pësuar edhe dollari amerikan, i cili në fillim të këmbehej me 97.13 lekë. ndërsa aktualisht 1 dollar amerikan këmbehet 92.32 lekë.

Zhvlerësim kundrejt lekut ka pasur edhe paundi britanik. Në fillim të muajit 1 paund këmbehej me 123.07 lekë, ndërsa më 13 korrik, paundi këmbehet me 121.12 lekë.

Vlera e lekut kundrejt valutave të huaja përcaktohet lirisht në tregun e këmbimit valutor.  Sipas Bankës së Shqipërisë, luhatjet e kursit të këmbimit reflektojnë lëvizjen e lirë të mallrave e të kapitalit në shkëmbimet tregtare dhe financiare të Shqipërisë me partnerët e saj tregtarë.

Zhvlerësimi i monedhave të huaja dhe kryesisht euros, lidhet me fluksin e turizmit por edhe me paranë informale, duke bërë që të ketë shumë euro në qarkullim, ndërsa është kthyer në shqetësim për bizneset në disa sektorë të ekonomisë të cilët kanë kërkuar nga qeveria dhe Banka e Shqipërisë, marrjen e masave për të frenuar këtë trend.

Elisabeta Dosku / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat