Europa Postuar më 7 Mars 2023, 10:55

Jo më verë në shishe por karburant për makinat! - Si po e menaxhon Franca mbiprodhimin e rrushit?

Nga SCAN TV
Jo më verë në shishe por karburant për makinat! - Si po e

Franca është krenare për verat e saj dhe kulturën e verës dhe njihet për këtë në gjithë botën. Një çerek shekulli më parë, UNESCO e shpalli zonën e vreshtave të Saint Emilionit në Bordeaux (Bordo), trashëgimi të kulturës botërore. Por seleksionimi i sofistikuar nuk shihet mes vreshtarëve në jugperëndim të vendit. Sektori është rënduar nga kriza e superprodhimit. Sipas pikëpamjes së shoqatave të vreshtarëve, vreshtarët francezë prodhojnë verë më tepër se duhet, sidomos verë të kuqe. Vërtet që llojet e çmuara të verës vazhdojnë ende të blihen me qindra euro nga klientët që kanë mundësi t'i blejnë, por në segmentin e mesëm dhe të ulët të çmimeve të verës, vreshtarët ankohen për presionin e madh që ushtrohet mbi çmimet.

Si reagim ndaj uljes së fitimit, fshatarët që merren me kultivimin e rrushit do të preferonin më mirë të ulnin prodhimin dhe ta linin djerrë tokën e vreshtave. Aktualisht janë duke u zhvilluar bisedime me qeverinë, heqja dorë nga 10 mijë hektarë vreshta, gati 10 % e gjithë sipërfaqes së rajonit, është realiste dhe zgjidhja duhet gjetur deri në mbajtjen e panairit të bujqësisë këtë muaj.

Sipas CIVB, perspektivat e sektorit nuk janë të mira. Shitja e verës së kuqe në treg, që përbën gjysmën e sasisë së shitjes, është prej vitesh në rënie. Me 15 %, rënia e shitjeve në vitin 2022 shënoi ulje të madhe, ulje që vjen edhe për shkak të inflacionit të madh. Në dhjetë vitet e ardhshme, thotë CIVB, konsumi i verës në Francë mund të bjerë me 60 %.

Rënien e shitjeve ekspertët e shpjegojnë me transformimet kulturore: Rëndësia dhe konsumi i verës në shoqëri janë duke rënë në Francë. Ndërkohë që më parë një gotë verë e kuqe bënte pjesë në çdo vakt, sot shumë francezë kanë hequr dorë nga përdorimi i alkoolit në vaktin e drekës. Gjendja është keqësuar edhe për shkak të presionit që ushtron konkurrenca e huaj dhe gabimeve që janë bërë në menaxhim.

Për të përballuar transformimet, vreshtarët nga rajonet e verës së kuqe të Bordosë, Lugina e Rhônes dhe Languedoc kanë vënë shtetin me shpatulla për muri. Shteti, së bashku me Bashkimin Europian kanë shprehur gatishmërinë të venë në dispozicion deri 160 milionë euro për një fushatë distilimi.

Me këto para, vreshtarët do të dëmshpërblehen nëse shesin tek distileritë gjithsej 2,5 milionë hektolitrave verë, sidomos verë e kuqe. Në këtë mënyrë deri dy të tretat e mbiprodhimit aktual duhet të zhduket nga tregu. Alkooli i distiluar duhet të përpunohet më tej duke u kthyer në parfum, lëndë dezinfektuese ose karburant, bioethanol. Franca ka mbledhur tashmë përvojë me këto lloj ndërhyrjesh në treg.

Edhe gjatë izolimit të shkaktuar për shkak të pandemisë në vitin 2020, ministria franceze e Bujqësisë dha lejen për distilimin e gati dy milionë hektolitrave verë, që është gati 5 % e prodhimit të përgjithshëm të vitit në Francë. Shteti i pagoi vreshtarët në ato  kohë në varësi nga rajoni, 58 deri 78 euro për hektolitër (100 litra).

Por programi i dërgimit të verës për distilim nuk ndryshon problemet strukturore të sektorit që varet shumë nga eksporti. Eksporti në drejtim të Kinës, që u ndërpre gjatë pandemisë do të fillojë sërish këtë vit, por nuk dihet nëse ai do të arrijë sërish në nivelin e para krizës. Por qeveria kërkon t'i ndihmojë vreshtarët edhe për përpilimin e një strategjie të re.

Në afat të gjatë sektori i verës në Francë duhet të bëjë përshtatjet e nevojshme me ndryshimin e klimës dhe ndryshimin e kërkesës në treg, paralajmëron qeveria në Paris. Megjithëse kultivimi i rrushit në Francë punëson gati një të tretën e të punësuarve në bujqësi, rëndësia e vreshtarëve për ekonominë franceze ka rënë. Nga 2000 deri 2020 numri i kantinave të prodhimit të verë ka rënë me 40 %, duke arritur në 52330 kantina në vend.

E . S / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat