Bota Postuar më 18 Nëntor 2025, 09:25

IA “nxit” sistemet e ruajtjes së energjisë - Kërkesa globale për këto rrjete mund të rritet me 40% në 2026

Nga Kristi Ceta

IA “nxit” sistemet e ruajtjes së energjisë - Kërkesa

Kërkesa gjithnjë e më e lartë për energji nga qendrat e të dhënave të inteligjencës artificiale në SHBA pritet të nxisë një cikël të fortë zgjerimi për industrinë e ruajtjes së energjisë gjatë pesë viteve të ardhshme. Kjo situatë do të shtojë nevojën për më shumë bateri, që do të balancojnë prodhimin me ndërprerje të erës dhe diellit, sipas UBS Securities. Analistët deklarojnë se kërkesa globale për sisteme të ruajtjes së energjisë mund të rritet me 40% në vitin 2026.

“Kërkesa për qendrat e të dhënave në SHBA është shumë e fortë, por elektriciteti është pengesa kryesore,” theksojnë ata. Energjia e rinovueshme është segmenti i vetëm i prodhimit që pritet të zgjerohet ndjeshëm në SHBA gjatë pesë viteve të ardhshme. Për shkak të natyrës së paqëndrueshme, rrjeti do të ketë nevojë për më shumë kapacitete të ruajtjes së energjisë.

Shtetet e Bashkuara mbeten thelbësore për prodhuesit kinezë të këtyre sistemeve, që zotërojnë rreth 20% të tregut, pasi vendi ofron marzhet më të larta të fitimit. Megjithatë, tregjet në zhvillim në Lindjen e Mesme, Amerikën Latine, Afrikë dhe Azinë Juglindore mund të shënojnë rritjen më të shpejtë, me ritme nga 30% deri në mbi 50%.

Rreziku më i madh për eksportet kineze drejt SHBA-së janë kufizimet e vendosura nga ligji i ri i presidentit Donald Trump, që ndalon pjesëmarrjen e kompanive të kontrolluara nga Pekini në sektorin amerikan të energjisë. Ndërkohë, në Kinë, kalimi drejt çmimit të tregut për burimet e rinovueshme pritet të nxisë edhe më shumë projektet e ruajtjes së energjisë. Këto të fundit përfitojnë duke blerë kur çmimet janë të ulëta dhe duke shitur kur ato rriten.

UBS pret që provincat kineze të fillojnë të ofrojnë pagesa shtesë për pronarët e baterive, si shpërblim që ata të jenë gati kur të ketë nevojë për energji. Kjo do të nxisë edhe më shumë investimet në sistemet e ruajtjes.

30 Nëntor

...

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat