Shqipëria Postuar më 13 Qershor 2024, 10:55

“Investoni në industrinë ushtarake” - Peleshi: Të riaktivizojmë asetet e së shkuarës përmes investimeve të përbashkëta

Nga SCAN TV
“Investoni në industrinë ushtarake” - Peleshi: Të

Nxitja e bizneseve shqiptare për të aplikuar në projektet e NATO-s, si dhe nxitja e investimeve në industrinë ushtarake, ishte fokusi i një takimi të përbashkët të Ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi me përfaqësues të NATO-s, Departamentit Amerikan të Mbrojtjes dhe bizneseve në Shqipëri.

Gjatë fjalës së tij, Peleshi i bëri thirrje sipërmarrjeve të huaja dhe shqiptare që të investojnë në industrinë ushtarake të vendit tonë, teksa paralelisht po punohet për ndërtmin e kuadrit ligjor dhe institucional.

Jemi anëtarë të NATO-s, duam dhe duhet të luajmë edhe ne pjesën tonë në industrinë e ushtarake të Aleancës. Kemi asete të së shkuarës, të cilat me investime të përbashkëta mund të riaktivizohen. Por së pari na duhet një kuadër ligjor i përshtatshëm dhe incentiva për investime. Kemi parasysh këtu jo vetëm investitorë të huaj, por kemi edhe investitorë shqiptarë, që mund të mos kenë përvojë në këtë fushë, por janë të gatshëm të jenë partnerë në këtë industri të re që do të fillojë të marrë jetë që këtë vit.”

Ministri Peleshi nxiti përfaqësuesit e biznesit që të aplikojnë dhe të përfitojnë nga projektet e NATO-s, duke u shprehur se Ministria e Mbrojtjes do të shërbejë si urë lidhëse midis operatorëve privatë shqiptarë dhe përfaqësuesve të strukturave me përvojë të NATO-s.

Konfliktet kanë bërë që kërkesa të rritet shumë për armatime, për ushqime apo mallra të tjera që prokurohen në këto agjenci të NATO-s. Bota e madhe e konflikteve në rritje, ka sjellë edhe rritje të kërkesës dhe ne ju ftojmë të përfitoni nga këto kontrata. Tashmë keni më shumë se 30 vite eksperiencë. Kemi kompani të shkëlqyera që sa herë kanë dalë jashtë vendit kanë fituar besim për shkak se e kanë rritur standardin.

Në kuadër të “Ditës së Industrisë”, u dha informacion mbi procedurat e prokurimit, legjislacionit dhe kushtet që duhet të plotësojnë operatorët ekonomikë në Shqipëri për të marrë pjesë në prokurimet ndërkombëtare, por edhe për të përcaktuar një bashkëpunimin mes bizneseve shqiptare dhe agjencive të NATO-s.

Ledina Elezi/SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat