Europa Postuar më 2 November 2026, 10:39

Greva kushton shtrenjtë - Italia mund të ketë humbur deri në 1 miliard euro nga protesta e së premtes

Nga Edel Strazimiri

Greva kushton shtrenjtë - Italia mund të ketë humbur deri në

Greva kombëtare e 30 tetorit në Itali mund t’i ketë kushtuar ekonomisë së vendit rreth 1 miliard euro. Sipas vlerësimeve të zyrës së studimeve të Cgia di Mestre, vetëm humbjet nga ndërprerja e punës mund të kenë arritur në 817 milionë euro, ndërsa përfshirja e kostove indirekte e çon dëmin e mundshëm pranë 1 miliard eurove.

Greva u thirr nga disa sindikata të pavarura kundër rritjes së kostos së jetesës dhe shtimit të shpenzimeve për armatimet. Përllogaritjet janë bërë duke supozuar se rreth 20% e punonjësve kanë marrë pjesë në grevë, ndërsa niveli zyrtar i pjesëmarrjes ende nuk ishte konfirmuar.

Sipas Cgia-s, zonat më të industrializuara janë ato që përballen me humbjet më të mëdha. Lombardia kryeson me një kosto të vlerësuar prej 193.6 milionë eurosh, e ndjekur nga Lacio me 94.3 milionë, Veneto me 75.3 milionë, Emilia-Romanja me 74.6 milionë dhe Piemonte me 60.2 milionë euro.

Megjithatë, ndikimi ekonomik nuk kufizohet vetëm te orët e humbura të punës. Ndërprerjet e transportit, vonesat në furnizime dhe ulja e produktivitetit mund të rëndojnë bizneset, shërbimet publike dhe financat shtetërore, duke ndikuar edhe te të ardhurat nga taksat dhe kontributet.

Grevat mund të sjellin gjithashtu shtyrje të vizitave shëndetësore dhe zgjatje të listave të pritjes, ndërsa bllokimet në transportin hekurudhor të mallrave dhe në porte mund të vonojnë dërgesat. Familjet preken gjithashtu, pasi prindërit mund të detyrohen të marrin leje nga puna për t'u kujdesur për fëmijët kur shkollat nuk funksionojnë normalisht.

Cgia thekson se këto vlerësime duhet të interpretohen me kujdes dhe nuk përbëjnë një gjykim mbi të drejtën e punonjësve për të protestuar. Kostoja e grevës rëndon edhe vetë punonjësit, të cilëve zakonisht u mbahet paga për ditën që nuk kanë punuar.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat