Europa Postuar më 23 Shkurt 2023, 11:34

Gazi, BE përshpejton reduktimin e varësisë nga Rusia - Ulja e kërkesës dhe energjia diellore, arsyet kryesore

Nga SCAN TV
Gazi, BE përshpejton reduktimin e varësisë nga Rusia - Ulja e

Në vjeshtën e vitit 2021, kur Moska po reduktonte ndjeshëm furnizimet me gaz për Europën dhe rreziku i një pushtimi rus të Ukrainës po afrohej, plani i BE-së për të ndëprerë varësinë nga hidrokarburet e Rusisë dukej jashtëzakonisht ambicioz dhe i vështirë. Megjithatë, shpejtësia me të cilën Kontinenti i Vjetër arriti t'i japë fund kësaj varësie energjetike me fqinjin e tij të pasur me energji dhe të bëhet i pavarur nga gazi natyror rus konsiderohet befasuese nga analistët. Por procesi konsiderohet dhe i dhimbshëm pasi vitin e kaluar Europa duhej të paguante diku rreth një trilion dollarë për energjinë dhe për t'u përballur me këtë faturë të paqëndrueshme u morën qindra miliarda euro subvencione nga qeveritë.

Vetëm një vit më parë Europa shpenzonte rreth 1 miliard euro në ditë për të paguar gazin, naftën dhe qymyrin që importonte nga Rusia. Sot paguan vetëm një pjesë të kësaj shume. Situata do të ishte shumë më e vështirë nëse nuk do të përkonte me tranzicionin e Europës drejt energjisë së pastër që ka filluar disa vite më parë. Natyrisht, kontribuoi edhe dimri i butë për shkak të ndryshimeve klimatike, i cili uli kërkesën për ngrohje, ndërkohë që i shtyu industritë ndotëse të pezullonin veprimtarinë e tyre pasi nuk përballonin dot koston e energjisë.

Instalimet fotovoltaike në të gjithë Europën u rritën me 35% krahasuar me nivelet e vitit 2021, duke arritur një rekord prej 40 gigavat, sipas të dhënave të Bloomberg. Kjo kryesisht për shkak se konsumatorët zgjedhin të përdorin energjinë diellore për të ulur faturat e tyre të energjisë elektrike. Shumë njerëz nuk instaluan vetëm fotovoltaikë, por shtuan edhe bateri. Përdorja e baterive është rritur me 79% vitin e kaluar, dhe pjesa më e madhe është për shkak të instalimeve rezidenciale, të cilat sipas të dhënave të Bloomberg janë rritur me 95%. Dhe kjo rritje nuk u ndal edhe kur çmimet e baterive filluan të rriten për herë të parë. Rritje ka pasur edhe prodhimi i energjisë së erës, megjithatë pa arritur parashikimet. Kjo për shkak të inflacionit që goditi industrinë e erës më shumë se sa atë diellore.

Por asnjë rritje në prodhimin e energjisë së rinovueshme nuk do të mjaftonte kurrë për të zëvendësuar kaq shpejt naftën, gazin dhe qymyrin që importohet nga Rusia. Faktori më i rëndësishëm, megjithatë, ishte ulja e kërkesës për gaz si nga industritë ashtu edhe nga familjet. Kur çmimi i karburantit u rrit në nivele rekord, disa industri vendosën ndërprerjen e përkohshme të aktivitetit, ndërsa të tjera gjetën burime alternative të energjisë. Kështu, përdorimi i gazit u ul me 18% në krahasim me vitin 2021, kur në vitin 2020, vit i pandemisë dhe i mbylljeve të para të forta, ishte ulur me 14%. Po ashtu edhe kërkesa për ngrohjen e shtëpive, e cila gjithashtu ra me 15% sipas Bloomberg. Përsëri PBB-ja e BE-së pa një rritje vjetore prej 3.5%, pak më pak, pra krahasuar me parashikimin prej 4% rritjeje të pritur para luftës në Ukrianë. Deri në vjeshtë, të gjithë besonin se BE nuk mund ta shmangte recesionin, por tani ekonomistët e BE-së parashikojnë rritje prej 0.9% për vitin 2023.

Dorina Kurtaj /SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat