Europa Postuar më 13 Tetor 2022, 11:59

Franca akuzon SHBA për çmimet e gazit - Le Maire: Po na e shet me çmim katër herë më të lartë se industrialistëve amerikanë

Nga SCAN TV
Franca akuzon SHBA për çmimet e gazit - Le Maire: Po na e shet me

Kriza energjetike në Europë ka ndezur debate mes vendeve të ndryshme, për mënyrat se si duhet të ulen çmimet e lëndëve të para. Së fundmi Franca ka akuzuar SHBA se po nxjerr fitime nga shitja e gazit në Europë.

“Nuk mund të pranojmë që partneri ynë SHBA të na e shesë gazin e lëngshëm me një çmim katër herë më të lartë sesa ua shet industrialistëve amerikanë”, deklaroi ministri francez i Ekonomisë, Bruno Le Maire, duke folur në Asamblenë Kombëtare në Paris, duke shtuar se "lufta në Ukrainë nuk duhet të çojë në dominimin ekonomik amerikan dhe një dobësim të Bashkimit Europian".

Përballë pasojave të luftës në Ukrainë, tensioneve me Rusinë dhe grevave në rafineritë franceze, Le Maire shpjegoi se "dobësimi ekonomik i Europës nuk është në interesin e Shteteve të Bashkuara dhe për këtë duhet të kemi marrëdhënie ekonomike më shumë të ekuilibruar mes aleatëve tanë amerikanë dhe kontinentit europian”.

Le Maire po përballet me situatën kaotike në Francë për shkak të grevës së rafinerive dhe me problemet e prodhimit të energjisë elektrike për shkak të vështirësive në termocentralet bërthamore. Për më tepër, kriza energjetike e detyron Europën të rishikojë strategjinë e saj. Në samitin e BE-së javën e kaluar në Pragë, kancelari gjerman Olaf Scholz foli për një aleancë të BE-së me Japoninë dhe Korenë e Jugut. Ai kishte mbrojtur hapjen e negociatave me Shtetet e Bashkuara, Kanadanë dhe Norvegjinë për të ulur çmimet e kontratave të reja.

Sipas një raporti të kompanisë Refinitiv të cituar nga Reuters, në gjashtë muajt e parë të vitit 2022, 68% të eksporteve të gazit të lëngshëm të SHBA u dërguan në Europë, për një total prej 39 miliardë metra kub. Në fillim të korrikut, Reuters raportoi çmime mesatare prej 34 dollarë për milion njësi termike britanike, krahasuar me 30 në Azi dhe 6.12 dollarë për gazin amerikan.

Çmimet e gazit të lëngshëm amerikan u dyfishuan në krahasim me vitin 2021. Në verë ato u rritën në Europë më tej në nivelin prej gati 60 dollarë për milion njësi termike britanike. Gjithashtu sipas Refinitiv, në shtator flukset e gazit drejt Europës u regjistruan nivele shumë të larta, me një çmim prej 57.8 dollarë në Kontinentin e Vjetër dhe vetëm 8 dollarë në Shtetet e Bashkuara.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat