Kosova Postuar më 21 Prill 2023, 11:09

FMN, 178 milionë euro Kosovës në 2 vite - Për zbutjen e rreziqeve dhe ruajtjen e stabilitetit ekonomik të vendit

Nga SCAN TV
FMN, 178 milionë euro Kosovës në 2 vite - Për zbutjen e

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe autoritetet e Kosovës kanë arritur një marrëveshje për politikat ekonomike në vend që do të mbështeten nga një Marrëveshje Stand-By 24-mujore rreth 100 milionë euro dhe një marrëveshje tjetër prej rreth 78 milionë euro. Sipas FMN, këto financime do të zbusin rreziqet dhe mbështesin përpjekjet e Kosovës për të forcuar kapacitetet për të ruajtur stabilitetin makroekonomik.

Fondi vëren se, në sfondin e pasigurisë së lartë, rreziqet vazhdojnë të jenë kryesisht në rënie. Një rritje e çmimeve të mallrave mund të çojë në tkurrje të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe inflacion më të lartë, pasi Kosova është një importuese neto e ushqimit dhe energjisë. Kushtet financiare më të ashpra, duke përfshirë dështimet e fundit të bankave në SHBA dhe Europë, mund të rëndojnë në cilësinë e aktiveve dhe likuiditetin e bankave. Në këtë kuadër, programi i mbështetur nga FMN do të zbusë ndikimet negative në rast se këto, ose rreziqe të tjera materializohen. Nga ana tjetër, zgjerimi i investimeve publike mund të ndikojë në rritje më të lartë të ekonomisë.

Programi I financimit do të mbështesë përpjekjet për të forcuar administratën tatimore, reduktuar informalitetin, përmirësuar analizën e rrezikut fiscal dhe menaxhimin e financave publike, si dhe për të forcuar më tej transparencën fiskale. Gjithashtu, programi do të mbështesë përpjekjet për të forcuar paketën e politikave të Bankës Qendrore të Kosovës.

Përsa i përket sfidave strukturore, pritet një mbështetje për të mbyllur boshllëqet e infrastrukturës dhe qeverisjes, duke përfshirë një përditësim të Vlerësimit të Menaxhimit të Investimeve Publike dhe forcimin e operacioneve të ndërmarrjeve publike.

Në kuadër të strategjisë së energjisë dhe klimës synohet mbështetje e përpjekjeve  për zbutjen dhe përshtatjen e ndryshimeve klimatike, duke përfshirë ato të artikuluara nga strategjia e energjisë e miratuar së fundmi për vitet 2023-2032. Konkretisht, programi do të mbështesë përpjekjet për të rritur pjesën e burimeve të rinovueshme në prodhimin e energjisë, uljen e ndotjes, forcimin e integrimit rajonal të energjisë, rritjen e efikasitetit të energjisë dhe mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm të energjisë.

Dorian Koça / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat