Shqipëria Postuar më 15 Gusht 2022, 13:38

FAO: 1 në 3 shqiptar vuan nga pasiguria ose pamjaftueshmëria ushqimore! Të parët në Europën jugore!

Nga SCAN TV

Nën ushqyerja përkufizohet si gjendja e një individi të cilit ushqimi i zakonshëm ditor bazik është i pamjaftueshëm për t’u siguruar për të mbajtur kështu një jetë normale, aktive dhe të shëndetshme.

Pasiguria ushqimore e matur me këtë tregues i referohet aksesit të kufizuar në ushqim, në nivel individësh apo familjar, për shkak të mungesës së parave ose burimeve të tjera.

Programi Botëror i Ushqimit në Kombet e Bashkuara FAO ka vlerësuar në raportin e tij më të fundit se, gjatë periudhës 2019-2021, rreth 900 mijë njerëz ose rreth 32% e popullsisë së Shqipërisë vuajnë nga pasiguria ushqimore.

Pavarësisht se treguesi ka shënuar një rënie të lehtë nga rishikimi i vitit 2020, Shqipëria ka rreth 1/3 e popullsisë së saj në pamjaftueshmëri dhe pasiguri ushqimore.

FAO vlerësoi se, në përgjithësi, bota nuk ka përparuar drejt aksesit në ushqim të sigurt, ushqyes dhe të mjaftueshëm për të gjithë njerëzit, por as drejt zhdukjes së të gjitha formave të kequshqyerjes. Rreth 2.3 miliardë njerëz në botë (29.3 për qind) kishin pamjaftueshmëri ushqimore, 900 mijë prej tyre llogariten në Shqipëri.

Nëse e ndajmë këtë përqindje dhe marrim vetëm pjesën e atyre që kanë pasiguri të rëndë ushqimore, treguesi i regjistruar nga Shqipëria është 7.7 për qind për tre vitet e fundit ndërsa ky tregues ka shënuar përmirësim edhe në raport me anketën e mëparshme kur rezultati ishte 10 për qind e popullsisë.

Në rajonin e Europës Jugore ku numërohen një sërë vendesh, vendi ynë është vendi me nivelin më të lartë të popullsisë që ka pasiguri ushqimore të lehtë ose të rëndë. Maqedonia e Veriut përbën 20.9 për qind të popullsisë në 2019-2021, ndërsa Serbia 14.1 për qind dhe pas tyre vjen Mali i Zi me 14 për qind, Bosnje-Hercegovina me 12,6 për qind dhe Kroacia me 11,4 për qind. Ndërkohë Europa Perëndimore e ka këtë tregues në vetëm 4.4 për qind.

Edel Strazimiri / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat