Shqipëria Postuar më 1 Prill 2024, 10:54

ERRU: Reforma përmirësoi financat e ujësjellësve - Krijohen 14 shoqëri rajonale, Enti: Unifikimi i tarifave të bëhet gradualisht 

Nga SCAN TV
ERRU: Reforma përmirësoi financat e ujësjellësve - Krijohen

Reforma në sektorin e ujësjellës – kanalizime ka ndikuar në përmirësimin e situatës financiare të sektorit, krahasuar me vitin paraardhës 2022”. Konstatimi vjen nga Enti Rregullator i Ujit, që në raportin vjetor të depozituar në Kuvend thotë se këtë impakt e ka dhënë përmirësimi me 13,7% i Mbulimit të Kostove të Operimit dhe Mirëmbajtjes, Normës së Arkëtimit Korrente me 1.6% dhe asaj të Përgjithshme me 4.7%.

Reforma konsistoi në riorganizimin e sektorit në 15 shoqërië rajonale, nga 58 që operonin më herët, teksa tashmë janë krijuar 14 prej tyre. E fundit që është krijuar është Shoqëria Rajonale Vlorë, ndërsa mbetet akoma pa u krijuar shoqëria Rajonale UK Tiranë, e cila përfshin bashkitë: Tiranë, Kamëz, Vorë. Teksa përmirësimi i situatës financiare ishte një nga objektivat kryesorë të reformës, synimi është unifikimi tarifor në të gjithë zonën e re të shërbimit.

Kjo do të thotë se qytetet e bashkuara nën një shoqëri do të paguajnë tarifa të njëjta, ndryshe nga sa ka ndodhur deri më tani. Përshembull, qytetaët e Durrësit, Krujës, Shijakut, Kavajës dhe Rrogozhinës, që bëjnë pjesë në 1 shoqëri rajonale do të duhet të paguajnë njësoj për ujin dhe kanalizimet.

Por, sipas ERRU-së, për disa nga shoqëritë rajonale tarifat janë të përafërta nga zona në zonë, prandaj unifikimi tarifor është i mundshëm. Ndërsa për disa të tjera duket mjaft i vështirë për shkak të diferencave të mëdha të tarifave të mbartura nga shoqëritë individuale të mëparshme.

Nisur nga kjo situatë, ERRU inkurajon unifikimin në disa prej shoqërive, ndërsa për të tjera sikurse është Durrësi, Korça, etj. unifikimi i tarifave konsiderohet i parakohshëm dhe do të rriste në mënyrë të menjëhershme tarifat për disa zona, që praktika ka treguar se kjo do të pasohej me ulje të normës së arkëtimit për shkak të refuzimit të pagesës së lartë të faturës nga konsumatorët. Për këtë arsye, ERRU thekson që në këto raste unifikimi tarifor duhet të realizohet në mënyrë graduale, duke vlerësuar gjendjen rast pas rasti.

Ola Mitre / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat