FunData Postuar më 14 Maj 2026, 11:12

Sa e cënueshme është Shqipëria ndaj mashtrimeve? Raporti global 2025: Bëjmë pjesë mes vendeve me ekspozim mesatar

Nga Scan TV

Sa e cënueshme është Shqipëria ndaj mashtrimeve? Raporti

Shqipëria renditet në vendin e 48-të nga 112 shtete në Indeksin Global të Cenueshmërisë ndaj Mashtrimeve për vitin 2025, me një rezultat 2.3 pikë. Sipas të dhënave të publikuara nga Visual Capitalist, bazuar në indeksin e kompanisë "Sumsub", sa më i ulët të jetë rezultati, aq më rezistent konsiderohet një vend ndaj mashtrimeve; sa më i lartë rezultati, aq më i madh është ekspozimi ndaj rrezikut.

Indeksi mat cenueshmërinë ndaj mashtrimeve duke marrë në analizë katër faktorë kryesorë: aktivitetin e mashtrimeve, aksesin në burime, ndërhyrjen e qeverisë dhe gjendjen ekonomike. Indeksi sqaron se aktiviteti i mashtrimit vlerësohet sipas vendit të synuar nga mashtrimi, jo domosdoshmërisht sipas vendit nga vjen mashtruesi.

Në praktikë, ky indeks nuk mat kriminalitetin klasik, por rrezikun nga mashtrimet dixhitale dhe financiare: vjedhja e identitetit, mashtrimet online, krimi kibernetik, transaksionet e dyshimta, përdorimi i dokumenteve false dhe skemat financiare.

Në këtë renditje, Shqipëria ka të njëjtin rezultat me Mbretërinë e Bashkuar, e cila renditet në vendin e 47-të. Kjo e vendos Shqipërinë në mesin e tabelës globale, jo ndër vendet më të sigurta, por as ndër më të ekspozuarat.

Në krahasim me rajonin dhe vendet pranë saj, Shqipëria del më dobët se Greqia, e cila renditet në vendin e 23-të me 1.8 pikë, dhe më dobët se Sllovenia, që ka rezultat 1.4 pikë dhe renditet e 11-ta. Italia renditet pak më mirë se Shqipëria, në vendin e 44-t me 2.3 pikë, ndërsa Polonia është më poshtë, në vendin e 57-të me 2.5 pikë.

Në Ballkanin Perëndimor, Serbia renditet më mirë, në vendin e 34-t me 2.1 pikë, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut, në vendin e 40-të me 2.2 pikë. Shqipëria pozicionohet pas Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, por më mirë se Bosnja dhe Hercegovina, e cila renditet e 80-ta me indeks 3.2 pikë.

Sipas raportit, Luksemburgu dhe Danimarka janë vendet më rezistente ndaj mashtrimeve, të ndjekura nga Finlanda dhe Norvegjia.

Për Shqipërinë, rezultati 2.3 tregon një nivel mesatar cenueshmërie. Kjo do të thotë se vendi ka ende hapësirë për forcimin e mbrojtjes dixhitale, rritjen e kontrolleve institucionale dhe edukimin e qytetarëve ndaj mashtrimeve online. Raporte të tjera për Shqipërinë kanë evidentuar gjithashtu rritjen e mashtrimeve online dhe lidhjen e disa skemave me rrjete kriminale, përfshirë mashtrimet përmes call center-ave dhe përdorimin e kriptomonedhave për pastrim parash.

Sa e cënueshme është Shqipëria ndaj mashtrimeve? Raporti

 

 

Ndrysho madhesinë
Aa
Shqipëria 14 Maj Edel Strazimiri

Sa këmbehen sot valutat kryesore?

Dollari amerikan ka regjistruar rritje të lehtë të vlerës mëngjesin e sotëm pasi krahasuar me ditën e djeshme është forcuar disi duke u blerë me 80.9 lekë......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat