Bota Postuar më 14 Maj 2026, 10:20

Turqia, papritur një “ishull” stabiliteti? - Ulje të mëdha taksash dhe stimuj ekonomikë për thithjen e investimeve

Nga Dorian Koça

Turqia, papritur një “ishull” stabiliteti? - Ulje të

Si pasojë e luftës në Iran, në mbarë botën mbizotëron pasiguri Shumë shtete druhen nga një inflacion i zgjatur dhe mungesa e burimeve. Ndërkohë që vendet e Gjirit përpiqen të ruajnë imazhin e tyre si "strehë të sigurta”, Turqia kalon në ofensivë: Me ulje të mëdha taksash dhe stimuj ekonomikë, Ankaraja synon të tërheqë veçanërisht investitorë dhe pasuri nga jashtë.

Paketa përkatëse ligjore u shpall nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan në fund të prillit. Qëllimi është ta bëjë Turqinë më konkurruese ndërkombëtarisht dhe ta pozicionojë si një vend tërheqës për kapitalin e huaj dhe fuqinë punëtore të kualifikuar.

Ligji u drejtohet personave dhe kompanive që gjatë tre viteve të fundit nuk kanë qenë të regjistruar si tatimpagues në Turqi, duke u premtuar atyre përfitime të konsiderueshme. Ata që regjistrojnë pasuritë e tyre jashtë vendit – valuta, ar apo letra me vlerë – në Turqi deri më 31 korrik 2027, do të përfitojnë një përjashtim 20-vjeçar nga tatimi mbi të ardhurat për fitimet e realizuara jashtë. Përveç kësaj, për këtë grup norma e tatimit për trashëgimi dhe dhurata ulet në vetëm një për qind. Aktualisht këto norma janë – në varësi të shumës – midis një dhe dhjetë për qind për trashëgimi dhe midis dhjetë dhe 30 për qind për dhurata.

Edhe pasuritë e brendshme që nuk janë deklaruar pranë autoriteteve tatimore deri më tani mund të deklarohen pa pasoja penale në kushte të caktuara, për shembull nëse investohen për një periudhë të caktuar në obligacione shtetërore vendase ose në instrumente të ngjashme.

Edhe tregtia e jashtme synohet të gjallërohet. Në mars u shënua një rënie prej 6,4 për qind. Për këtë arsye qeveria synon të ulë tatimin mbi fitimin për kompanitë vendase. Për eksportuesit prodhues norma ulet nga 25 në nëntë për qind, ndërsa për eksportuesit e tjerë në 14 për qind. Përveç kësaj, qeveria synon ta zhvillojë Qendrën Financiare të Stambollit në një qendër konkurruese ndërkombëtare sipas modelit të Singaporit apo Hong Kongut. Kompanitë me seli në metropolin turk do të përfitojnë përjashtim të plotë nga taksat për fitimet nga tregtia ndërkombëtare tranzite. Edhe korporatat globale që zhvendosin selitë e tyre rajonale atje do të mbeten pa taksa për 20 vjet.

Për ta bërë investimin më tërheqës, qeveria synon të ulë ndjeshëm burokracinë. Koordinimin e merr drejtpërdrejt presidenca. Parashikohet krijimi i një platforme qendrore digjitale që trajton në mënyrë të përmbledhur dhe të përshpejtuar të gjitha proceset – nga themelimi i kompanive, te lejet e punës dhe të qëndrimit e deri te vlerësimet mjedisore.

Ndrysho madhesinë
Aa

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat