FunData Postuar më 29 Janar 2026, 11:46

Makinat ndryshojnë “lider”, transporti i rëndë mbetet besnik/ Volkswagen, në krye te autoveturat. Mercedes, i “pathyeshëm” te mjetet e rënda

Nga Xhorxhina Deda

Makinat ndryshojnë “lider”, transporti i rëndë mbetet

Volkswagen duket se po fiton gjithnjë e më shumë terren në tregun e automjeteve në Shqipëri, duke vënë në diskutim dominimin historik të Mercedes-Benz.

Të dhënat për vitin 2025 tregojnë se Volkswagen kryeson regjistrimet e reja me rreth 18 mijë mjete, duke lënë pas Mercedes-Benz, i cili renditet i dyti. Pas tyre vijnë Audi, Hyundai, Toyota dhe BYD.

Ndërkohë, edhe nw totalin e automjeteve, diferenca mes dy markave është ngushtuar ndjeshëm. Aktualisht, në Shqipëri qarkullojnë rreth 166,768 autovetura Volkswagen dhe 153,275 Mercedes-Benz.

Por nëse shqiptarët po zgjedhin gjithnjë e më shumë Volkswagen për automjetet personale, lind pyetja: cilat marka dominojnë në segmentet e tjera të mjeteve rrugore, si motorwt, kamionët dhe autobusët?

A mbetet Mercedes zgjedhja kryesore për mjetet e rënda, apo tregu shqiptar po ndryshon orientim edhe në këto kategori?

Motorët: treg i fragmentuar, dominim i markave aziatike

Në segmentin e motorëve, shqiptarët nuk ndjekin modelin e autoveturave. Marka më e përhapur rezulton DAYANG me 11,522 mjete, e ndjekur nga Yamaha me 7,800, Honda me 6,778 dhe Piaggio me 4,477. Në këtë kategori vërehet një prirje e fortë drejt markave ekonomike dhe aziatike, ndërsa markat premium, si BMW, mbeten në shifra modeste.

Kamionët: Mercedes mbetet i pakonkurrueshëm

Në segmentin e kamionëve, Mercedes-Benz ruan një dominim të qartë. Me 8,702 kamionë të regjistruar, marka gjermane lë pas ndjeshëm konkurrentët si MAN me 1,864, Iveco me 971 dhe Volvo me 779.

Këtu, zgjedhja e operatorëve shqiptarë duket e lidhur ngushtë me besueshmërinë dhe jetëgjatësinë, ku Mercedes vazhdon të shihet si standardi i industrisë.

Autobusët: “ylli” i Mercedes-it vazhdon të ndriçojë

Edhe në transportin e pasagjerëve, Mercedes-Benz mbetet marka dominuese me 4,157 autobusë. Pas saj renditen Daimler Chrysler me 687, Ford me 512, Iveco me 414 dhe MAN me 374.

Kjo konfirmon se, pavarësisht ndryshimeve në tregun e autoveturave, Mercedes vazhdon të mbajë një rol kyç në sektorët strategjikë të transportit publik.

Sipas të dhënave zyrtare, në Shqipëri qarkullojnë mbi 847 mijë autovetura, ndërsa motorët numërojnë rreth 63,726 mjete. Kamionët janë rreth 17,529 dhe autobusët 9,234, çka tregon qartë se tregu shqiptar mbetet i fokusuar kryesisht te automjetet personale.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat