Analiza Postuar më 25 Mars 2026, 12:03

Turizmi solli rekord prej 5.72 miliardë eurosh në 2025/ Të huajt shpenzuan rreth 2 herë më shumë se shqiptarët jashtë

Nga Xhorxhina Deda

Turizmi solli rekord prej 5.72 miliardë eurosh në 2025/ Të huajt

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërise, të ardhurat e turizmit për vitin 2025 kapën një rekord te ri duke u regjistrua pranë vlerës 5.72 miliardë euro, ndërkohë shqiptarët shpenzuan jashtë për udhëtime rreth 3.04 miliardë euro.

Shpenzimet e të huajve në Shqipëri arritën në 5.72 miliardë euro gjatë vitit 2025, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë në serinë e bilancit të pagesave. Krahasuar me vitin 2024, kur këto të ardhura ishin 4.99 miliardë euro, rritja është me rreth 731.6 milionë euro, ose 14.7%, duke konfirmuar se turizmi vijon të mbetet një nga burimet më të forta të hyrjes së valutës në ekonomi.

Edhe shpenzimet e shqiptarëve jashtë vendit janë rritur, por me ritëm më të ulët. Në vitin 2025 ato arritën në 3.04 miliardë euro, nga 2.70 miliardë euro në 2024, me një zgjerim prej rreth 339 milionë eurosh, ose 12.6%. Kjo tregon se kërkesa për udhëtime jashtë mbetet e fortë, por rritja e të ardhurave nga vizitorët e huaj ka qenë më e shpejtë se rritja e shpenzimeve të shqiptarëve në tregjet e jashtme.

Si rezultat, bilanci neto i turizmit u ngjit në 2.68 miliardë euro në 2025, nga 2.29 miliardë euro një vit më parë. Përmirësimi është me rreth 392.6 milionë euro, ose 17.1%, çka përbën një tjetër rekord historik. Kjo do të thotë se jo vetëm që Shqipëria po tërheq më shumë të ardhura nga turistët e huaj, por po e zgjeron edhe diferencën pozitive mes asaj që fitohet nga hyrjet turistike dhe asaj që shpenzohet nga shqiptarët jashtë vendit.

Në vitin 2025, shpenzimet e të huajve ishin rreth 2 herë më të larta se shpenzimet e turistëve shqiptarë jashtë vendit, një raport më i favorshëm se ai i vitit 2024. Kjo përkthehet në më shumë valutë që hyn në ekonomi, më shumë konsum të mbështetur te vizitorët dhe një rol gjithnjë e më të madh të turizmit në ekuilibrat makroekonomikë.

Në pamje afatgjatë, zgjerimi është edhe më i fortë. Krahasuar me vitin 2008, të ardhurat nga shpenzimet e të huajve janë rritur gati 4.9 herë, ndërsa bilanci neto është zgjeruar afro 24 herë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat