Analiza Postuar më 20 Maj 2026, 11:03

Shqipëria kryeson Europën për fluturimet komerciale/ Sipas Eurostat, trafiku ajror është rritur ndjeshëm pas pandemisë

Nga Eldiona Serani

Shqipëria kryeson Europën për fluturimet komerciale/ Sipas

Shqipëria vijon të konfirmohet si një nga tregjet me rritjen më të shpejtë të turizmit dhe transportit ajror në Europë. Të dhënat e publikuara nga Eurostat tregojnë se vendi ynë ka regjistruar rritjen më të lartë të fluturimeve komerciale krahasuar me periudhën para pandemisë, duke lënë pas jo vetëm rajonin, por edhe të gjitha vendet europiane.

Sipas statistikave, vetëm gjatë muajit prill Shqipëria shënoi një rritje prej 219.6% të numrit të fluturimeve komerciale në krahasim me të njëjtën periudhë para pandemisë. Kjo është shifra më e lartë e regjistruar në Europë dhe tregon zgjerimin e fortë të tregut ajror shqiptar, të nxitur nga rritja e turizmit, hyrja e kompanive low-cost dhe kërkesa gjithnjë në rritje për udhëtime drejt Shqipërisë.

Edhe muajt e parë të vitit kanë treguar të njëjtin trend pozitiv. Në muajin mars dhe shkurt, rritja e fluturimeve arriti në rreth 126% dhe 165%, ndërsa janari regjistroi një rritje më të moderuar prej 115%. Në të gjithë katërmujorin e parë të vitit, Shqipëria ka mbajtur pozicionin e vendit me rritjen më të lartë të trafikut ajror në Europë dhe në rajon.

Performanca e fortë e Shqipërisë reflekton jo vetëm zgjerimin e sektorit të turizmit, por edhe kthimin e vendit në një destinacion gjithnjë e më të rëndësishëm për linjat ajrore ndërkombëtare. Shtimi i destinacioneve direkte, zgjerimi i aeroportit të Tiranës dhe interesi në rritje i turistëve të huaj kanë ndikuar ndjeshëm në këtë trend.

Edhe rajoni i Ballkanit ka paraqitur rezultate pozitive në muajt e fundit. Pas Shqipërisë, Bosnje-Hercegovina renditet e dyta në rajon me një rritje prej 62.7% të fluturimeve komerciale. Serbia mban vendin e tretë me rreth 41% rritje, ndërsa performancë të mirë kanë regjistruar edhe Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, me përkatësisht 36% dhe 27% rritje të fluturimeve. Për Malin e Zi, kjo shënon një rikuperim të rëndësishëm, pasi muajt e fundit vendi kishte regjistruar një rënie të ndjeshme të trafikut ajror.

Në nivel europian, pas Shqipërisë, një nga performancat më të forta është regjistruar nga Islanda me një rritje prej 126%, ndërsa rritje të konsiderueshme kanë shënuar edhe Sllovakia dhe Malta, me përkatësisht 53% dhe 49%.

Nga ana tjetër, jo të gjitha vendet europiane kanë ndjekur të njëjtin trend pozitiv. Disa shtete kanë regjistruar rënie të ndjeshme të fluturimeve komerciale krahasuar me periudhën para pandemisë. Sllovenia rezulton me rënien më të madhe prej -29%, e ndjekur nga Suedia me -26.4%, Letonia me -25.4%, Gjermania me -20.2% dhe Finlanda me -17.9%.

Të dhënat tregojnë qartë se Shqipëria po përjeton një zgjerim të shpejtë të tregut të aviacionit dhe turizmit, duke u kthyer në një nga destinacionet më dinamike në Europë për udhëtimet ajrore.

Ndrysho madhesinë
Aa
Modaliteti i errët

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat