Shqipëria Postuar më 26 Gusht 2026, 13:30

Prodhimi vendas i energjisë u rrit me 34.4% - Prill-qershor, INSTAT: 21.5% më pak importe, eksportet u rritën me 55.4%

Nga Ola Mitre

Prodhimi vendas i energjisë u rrit me 34.4% - Prill-qershor, INSTAT: 21.5%

Prodhimi vendas i energjisë elektrike shënoi rritje të fortë gjatë 3-mujorit të dytë të këtij viti, duke reduktuar nevojën për importe dhe duke rritur ndjeshëm energjinë e eksportuar. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se në periudhën prill–qershor prodhimi neto vendas arriti në rreth 2.361 gWG, me një rritje prej 34.4% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur ishte 1.757 gWh.

Ky prodhim u realizua në masën 42.8 % nga hidrocentralet publike, 38.2 % nga hidrocentralet private dhe koncesionare dhe 19 % nga prodhuesit e tjerë. Rritja më e fortë është regjistruar pikërisht te prodhuesit e tjerë të energjisë së rinovueshme, ku përfshihen edhe impiantet fotovoltaike.

Performanca më e mirë e prodhimit vendas është reflektuar edhe në shkëmbimet me jashtë. Importet bruto ranë me 21.5%, në 569 gWh, ndërsa eksportet u rritën me 55.4%, duke arritur në 991 gWh. Për pasojë, diferenca mes eksporteve dhe importeve rezultoi pozitive me rreth 422 gWh.

Nga ana tjetër, konsumi vijoi rritjen. Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët arriti në 1.619 gWh apo 6.2% më shumë se një vit më parë. Konsumi familjar u rrit me 5.6%, ndërsa ai i bizneseve dhe konsumatorëve të tjerë jo familjarë me 6.9%.

Sa i takon humbjeve në rrjet, në sasi ato mbetën thuajse të pandryshuara. Megjithatë, pesha e tyre ndaj energjisë në dispozicion zbriti nga 17.3% në 16.5%. Brenda këtij treguesi, humbjet në transmetim u rritën me 20.4%, ndërsa ato në shpërndarje u reduktuan me 3.1% krahasuar me 3-mujorin e dytë të vitit 2025.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat