Analiza Postuar më 16 Qershor 2025, 12:35

Më pak biznese greke dhe italiane në vend/ Kosova dhe Turqia “përforcuan” praninë e tyre në vitin 2024

Nga Xhorxhina Deda

Më pak biznese greke dhe italiane në vend/ Kosova dhe Turqia

Në Shqipëri, ndërmarrjet me pronarë ose bashkëpronarë të huaj përbëjnë 5.3% të totalit të bizneseve aktive në vend. Megjithatë, ndikimi i tyre në tregun e punës është shumë më i lartë, këto biznese punësojnë 12.8% të forcës së punës, duke dëshmuar rolin e tyre të rëndësishëm në ekonominë shqiptare.

Pjesa më e madhe e këtyre ndërmarrjeve vjen nga vendet e Bashkimit Europian, të cilat përfaqësojnë 60.7% të totalit të ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta. Brenda kësaj kategorie, Italia dhe Greqia zënë një vend të veçantë. Së bashku ato përfaqësojnë 46.4% të ndërmarrjeve të huaja aktive.

Ndërmarrjet janë të përqendruara në tri bashki kryesore. Tirana mban vendin e parë me 64.8% të tyre, pasuar nga Durrësi me 10.9% dhe Vlora me 5.0%. Ky përqendrim tregon qartë prirjen e bizneseve të huaja për të investuar në qendra urbane dhe portuale me potencial ekonomik më të madh.

Të dhënat e vitit 2024 tregojnë se numri total i ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta në Shqipëri ka arritur në 7,007, me një rritje prej 1% krahasuar me një vit më parë. Dy shtetet që shënuan rritjen më të madhe ishin Turqia me 12.4% dhe Kosova me 12.1%, duke treguar interes të shtuar për investime dhe bashkëpunime ekonomike nga këto vende.

Në krahun tjetër, ndërmarrjet italiane dhe greke kanë pësuar një rënie të lehtë. Italia me 3.2% dhe Greqia me 3.0%, një tregues i mundshëm i ngadalësimit të investimeve apo mbylljes së disa bizneseve ekzistuese.

Rënie po ashtu regjistrohet edhe te bizneset nga Izraeli në vitin 2024, krahasuar me vitin 2023.

Sipas INSTAT, pjesa më e madhe e bizneseve të huaja dhe të përbashkëta operojnë në sektorin e shërbimeve dhe janë ndërmarrje të vogla me 1 deri në 4 të punësuar.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat