Shqipëria Postuar më 16 Qershor 2025, 11:46

Shifra/ Sa shpenzojnë shqiptarët për sigurime? - Raporti i Xprimm: Shumë më pak se Kosova dhe rajoni!

Nga Ledina Elezi

Shifra/ Sa shpenzojnë shqiptarët për sigurime? - Raporti i

Shqiptarët janë populli që shpenzon më pak për t'u siguruar në të gjithë Evropën Qendrore dhe Juglindore. Sipas shtëpisë publikuese Xprimm, një shqiptar ka shpenzuar mesatarisht 92 euro për sigurime gjatë vitit që lamë pas. Megjithëse kemi pasur një rritje me 15% të shpenzimeve për frymë në krahasim me 2023, sërish renditemi të fundit nga 20 vende që merren në analizë.

Për sa i përket vëllimit total të primeve të shkruara bruto, Serbia e më pas Bosnje dhe Hercegovina kryesojnë në Ballkanin Perëndimor. Me një vlerë prej 25 miliardë lekësh prime të shkruara bruto gjatë vitit të kaluar, Shqipëria lë pas vetëm Kosovën dhe Malin e Zi.

Ndërkohë, vendi ynë mbetet prapë i fundit në Evropën Qendrore dhe Juglindore për peshën që zënë primet e shkruara bruto në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB). Të dhënat nga raporti i Xprimm tregojnë se tregu i sigurimeve në Shqipëri zë vetëm 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërkohë në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut zë 1.6% dhe 1.8% përkatësisht, e në Bosnje mbi 2%.

Nëse i krahasojmë sipas produkteve, vërejmë se shqiptarët, qoftë të Shqipërisë apo të Kosovës, nuk e sigurojnë jetën e tyre. Nga portofoli total i primeve të shkruara bruto, vetëm 8% shkojnë për sigurimin e jetës në Shqipëri dhe vetëm 5% në Kosovë. Shqiptarët shpenzojmë më tepër për produktin e sigurimit MTPL e Brendshme, ku tejkalojmë rajonin për përqindjen që zë ky produkt në portofolin total të primeve. Kjo pasi  është i detyrueshëm dhe jo vullnetar.

Nga ana tjetër, për sigurimin e pronës jemi në nivele të ngjashme me vendet e rajonit. Sigurimi i shtëpisë vijon të bëhet vetëm në rastet kur individi merr një kredi në bankë për blerjen e saj.

Këto shifra tregojnë se në Shqipëri nuk është krijuar akoma kultura e sigurimit vullnetar. Shumica e shqiptarëve nuk e shohin sigurimin si një domosdoshmëri, por një luks dhe kur kanë të ardhura shtesë, preferojnë t'i shpenzojnë për produkte të tjera. Gjithashtu, ekziston një besim i ulët ndaj kompanive të sigurimit.

Shifra/ Sa shpenzojnë shqiptarët për sigurime? - Raporti i

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat