Shqipëria Postuar më 10 Janar 2026, 12:07

Lobimi, projektligji ngre debat në grupet e interesit - Të ripërkufizohet termi. Dallim midis veprimtarive me interes publik dhe atyre privat

Nga Ledina Elezi

Lobimi, projektligji ngre debat në grupet e interesit - Të

Nga ndarja e veprimtarisë advokuese me interes publik të organizatave të shoqërisë civile nga ajo me interes vetjae, te moslegjitimimi i takimeve joformale të zyrtarëve publikë si lobim, projektligji mbi lobimin ka ngritur shumë diskutime nga grupet e interesit.

Para pak muajsh u publikua për konsultim publik një projektligj për lobimin, hera e parë që Shqipëria hedh një hap për rregullimin me ligj të kësaj veprimtarie. Procesi i konsultimit tashmë është mbyllur dhe një sërë organizatash të shoqërisë civile kanë dhënë sugjerimet e tyre mbi përmirësimet që i duhen bërë projektligjit.

Sipas Lëvizjes Evropiane në Shqipëri (EMA), Partnerët- Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, Institutit për Bashkëpunim dhe Zhvillim (CDI Albania) dhe katër organizatave të tjera, projektligji duhet të bëjë një dallim të qartë ndërmjet veprimtarive advokuese me interes publik, siç mund të jetë ai i organizatave të shoqërive civile që nuk kanë asnjë fitim, dhe veprimtarive advokuese me interes privat, pas të cilave ka përfitim ekonomik.

Lëvizja Evropiane sugjeron që të ndiqet modeli përjashtues si në Lituani, Letoni, Slloveni, Austri, Australi dhe Maqedoninë e Veriut, ku bëhet dallimi i qartë midis lobimit profesional dhe advokimit në interes publik, duke përjashtuar organizatat jofitimprurëse nga detyrimet e regjistrimit dhe raportimit. Mungesa e ndarjes ndërmjet veprimtarisë së lobimit kundrejt pagesës dhe advokimit publik në interes të përgjithshëm, mund të krijojë barrë administrative të panevojshme për shoqërinë civile dhe të kufizojë ushtrimin e rolit të tyre si aktorë legjitimë në proceset e vendimmarrjes publike.

Nga ana tjetër, Komiteti Shqiptar i Helsinkit sugjeron gjithashtu një ripërkufizim të termit. Në projektligj thuhet se lobimi është çdo veprimtari e ndërmarrë me qëllim ushtrimin e ndikimit në proceset e vendimmarrjes publike, legjislative ose politikëbërëse, përmes çdo forme komunikimi apo takimeve formale ose joformale, me zyrtarë publikë, nga persona fizikë ose juridikë që përfaqësojnë interesa të caktuara. Komiteti thekson se network-u informal mes bizneseve të mëdha dhe zyrtarëve publikë mund të përbëjë influencë të paligjshme mbi proceset vendimmarrëse, ndaj koncepti i “takimeve joformale” duhet hequr, pasi ato mund të përbëjnë premisë për ushtrim ndikimi të paligjshëm.

Për sa i përket sanksioneve për shkelje, edhe Qendra ALTAX është e mendimit që duhet krijuar një shkallë graduale të sanksioneve dhe mekanizma për apelim, të lehta dhe të rënda.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat