Analiza Postuar më 26 Gusht 2026, 10:00

“Made in Albania” fitojnë terren në rajon/ Më shumë shitje, më pak blerje. Shqipëria forcon pozitat me fqinjët

Nga Xhorxhina Deda

“Made in Albania” fitojnë terren në rajon/ Më

Tregtia e Shqipërisë me vendet e rajonit po anon gjithnjë e më shumë nga eksportet. Gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2026, shitjet shqiptare drejt Kosovës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës u rritën ndjeshëm, ndërsa blerjet nga këto tregje ranë, duke përmirësuar fort bilancin tregtar.

Sipas të dhënave, eksportet drejt pesë vendeve arritën në rreth 43.7 miliardë lekë, nga 39.1 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të vitit 2025, me një rritje prej afro 11.9%. Në kahun tjetër, importet ranë nga 32.5 miliardë në rreth 30.4 miliardë lekë, ose me 6.5%.

Si rezultat, suficiti tregtar i Shqipërisë me këto tregje u zgjerua në rreth 13.3 miliardë lekë, nga vetëm 6.6 miliardë lekë një vit më parë. Pra, brenda një viti, diferenca pozitive mes eksporteve dhe importeve është më shumë se dyfishuar.

Edhe në volum, situata është dukshëm në favor të eksporteve, me rreth 1.08 milionë tonë mallra të shitura në rajon, kundrejt vetëm 494 mijë tonëve të importuara.

Kosova mbetet motori kryesor i eksporteve shqiptare në rajon. Në Janar-Korrik, eksportet drejt saj arritën në rreth 23.5 miliardë lekë, 14.7% më shumë se një vit më parë. Importet nga Kosova u rritën më ngadalë, me 6.4%, në rreth 8 miliardë lekë. Për pasojë, Shqipëria regjistroi me Kosovën një suficit prej rreth 15.5 miliardë lekësh, nga 13 miliardë një vit më parë.

Një ndryshim i fortë vërehet edhe me Maqedoninë e Veriut. Eksportet shqiptare u rritën me 7.3%, ndërsa importet ranë me 15.4%. Deficiti tregtar me këtë vend u tkurr nga rreth 2.1 miliardë lekë në vetëm 485 milionë lekë, duke iu afruar ndjeshëm ekuilibrit.

Me Malin e Zi, importet ranë me 34.3%, ndërsa eksportet u rritën me 8.2%. Shqipëria siguroi kështu një suficit prej rreth 4.1 miliardë lekësh, më i lartë se një vit më parë.

Edhe Bosnje Hercegovina dha një sinjal pozitiv, me eksportet shqiptare që u rritën me 23.1%, kundrejt një rritjeje prej vetëm 2.2% të importeve.

Ndryshe paraqitet marrëdhënia me Serbinë, e cila vazhdon të jetë burimi më i madh i importeve mes këtyre vendeve. Shqipëria importoi rreth 12.9 miliardë lekë mallra nga Serbia, megjithëse 6% më pak se një vit më parë, ndërsa eksportet drejt saj u rritën me 4.6%, në 5.9 miliardë lekë. Deficiti me Serbinë mbetet i lartë, rreth 6.9 miliardë lekë, por është ngushtuar krahasuar me një vit më parë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat