Analiza Postuar më 27 Gusht 2025, 11:23

Kujdesi i hershëm për fëmijën, sa i rëndon familjes? Çmimi, gati sa një e treta e pagës mesatare në vend

Nga Eldiona Serani

Kujdesi i hershëm për fëmijën, sa i rëndon familjes?

Kujdesi për fëmijët është kthyer në prioritet kryesor për çdo prind. Pas viteve 2000, me hyrjen masive të grave në tregun e punës, roli i tyre nuk mbeti më i kufizuar brenda familjes, por u zgjerua edhe në aspektin ekonomik. Ky ndryshim solli një rritje të ndjeshme të nevojës për çerdhe publike e private, pasi kujdesi ndaj fëmijës nuk mbeti më përgjegjësi ekskluzive e nënës.

Por sa e ka koston ky shërbim për familjet dhe çiftet e reja në vendin tonë?

Sipas të dhënave të Bashkisë së Tiranës, kostot për të mbajtur një fëmijë në një çerdhe shtetërore janë në tarifën prej 130 lekësh për çdo ditë, duke sjellë një kosto mujore rreth 3 mijë lekë, në varësi të ditëve të punës apo fundjavave që përfshin muaji. Nga ana tjetër, sipas të dhënave zyrtare, fondi i garancisë për çerdhet arrin në një kosto prej rreth 5 mijë lekësh. Këto kosto të shtetit mund të konsiderohen të përballueshme, por duke qenë se fundjavat janë pushim dhe oraret e çerdheve janë zyrtare, prindërit që kanë punë me turne ose pa fundjavë të lira shpesh detyrohen të kërkojnë shërbim privat, i cili është më fleksibël, por edhe dukshëm më i shtrenjtë.

Sipas një studimi në terren, të kryer nga “Scan Intel” për qytetin e Tiranës, kostot e çerdheve private variojnë ndjeshëm, ku tarifa më e ulët mesatarishtështë rreth 15 mijë lekë, ndërsa më e larta arrin rreth 45 mijë lekë. Megjithatë, një pjesë e madhe e çerdheve private ofrojnë shërbim me një kosto mesatare prej 24-28 mijë lekësh në muaj. Këto çmime varen nga shërbimet shtesë që ofron çdo çerdhe, cilësia e stafit, infrastruktura dhe gjithashtu kohëzgjatja që fëmija qëndron në ambientet e saj.

Nga një analizë e thjeshtë, rezulton se një prind me pagë minimale do t’i duhej të shpenzonte më shumë se gjysmën e të ardhurave mujore për të përballuar koston e çerdhes private, ndërsa një prind me pagë mesatare shpenzon rreth një të tretën e pagës mujore për këtë shërbim. Për shumë familje, shpenzimet për çerdhen private mund të jenë të krahasueshme me qiranë mujore të një apartamenti në një nga lagjet periferike të Tiranës, çka e bën situatën edhe më të rëndë financiarisht.

Në një krahasim rajonal, sipas të dhënave nga Numbeo, çmimi mesatar i çerdheve private në Shqipëri është rreth 258 dollarë në muaj, duke e renditur vendin tonë të katërt në rajon për këtë shërbim. Serbia kryeson me një kosto prej rreth 364 dollarësh, e ndjekur nga Mali i Zi me 318 dollarë dhe Maqedonia e Veriut me një çmim pak më të lartë se Shqipëria. Nga ana tjetër, ky shërbim ofrohet më lirë në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë, ku tarifat janë përkatësisht 191 dhe 173 dollarë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat